Bashkia e Tiranës nis riparimin e 288 pallateve të dëmtuara lehtë nga tërmeti

Pallatet që kanë pësuar dëme të lehta nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në kryeqytet po riparohen nga Bashkia e Tiranës.
Aktualisht, në të gjithë territorin e Tiranës ka nisur aksioni që do të rivitalizojë edhe shumë prej pallateve të vjetra, pasi kjo nismë, e para e këtij lloji, do të përfshijë edhe lyerjet dhe sistemimet e hapësirave të përbashkëta.
Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Aurel Çuko, dhe Administratorja e Njësisë 1, Trëndelina Jaku, inspektuan punimet që po kryhen për riparimin e ambienteve të përbashkëta të pallateve të dëmtuara nga tërmeti në këtë njësi.
Çuko tha se në Tiranë janë 288 pallate, në të cilat është vlerësuar e domosdoshme kjo ndërhyrje, proces që ka nisur dhe po ecën paralelisht në të gjitha njësitë.
“Në territorin e Bashkisë së Tiranës ka nisur procesi i riparimit të ambienteve të përbashkëta. Në njësitë urbane të Tiranës janë për t’u riparuar 288 ambiente. Sot jemi tek Njësia 1, ku po ndjekim procesin e punës, duke filluar nga prishja, suvatimi, lyerja dhe shpresojmë që ky projekt të japë impaktin e duhur tek banorët”, u shpreh Çuko.
Administratorja e Njësisë 1, Trëndelina Jaku tha se ky ka qenë një shqetësim i ngritur nga vetë qytetarët, i cili është adresuar menjëherë nga Bashkia e Tiranës. “Kjo është një nismë që po kryhet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës. Kemi kërkesa të shumta, sepse rregullimi i hapësirave të përbashkëta është një ndër gjërat kryesore që kërkojnë banorët. Është një nismë fantastike, janë shumë të kënaqur”, shtoi Jaku.
Bashkia e Tiranës po zbaton prej disa vitesh programin për “Fondin e Komunitetit”, përmes të cilit kanë përfituar mijëra banorë të pallateve të ndërtuara para viteve ‘90, të cilët kanë riparuar hapësirat e përbashkëta në formën e bashkëfinancimit me Bashkinë.
Nisma më e fundit për pallatet e dëmtuara nga tërmeti tragjik i vitit 2019 është financim i plotë i Qeverisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




