Maturantët gjirokastritë; Rikthimi në shkollë i domosdoshëm

Sociale | 6 vite më parë

Rikthimi në shkollë për maturantët ishte domosdoshmëri. Kështu janë shprehur për mikrofonin e RTSH Gjirokastra të rinj që ndjekin studimet e mesme në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër. Sipas tyre, në dy muaj mësim online, nuk kanë arritur të jenë rezultativ, pavarësisht punës së kryer prej tyre dhe mësuesve. Mangësitë janë të mëdha dhe tashmë, ndërsa kanë mbetur dy muaj kohë nga fillimi i provimeve u duhet shumë punë për të plotësuar boshllëqet e krijuara gjatë gjithë këtij viti të vështirë.

“Që prej 11 shkurtit kemi qënë në shtëpi dhe në të vërtetë nuk ka qënë kaq e lehtë. Shërbimin e internetit e kemi pasur vazhdimisht, por ne që jemi në fshat kemi pasur dhe probleme me energjinë elektrike dhe herë pas here nuk mund të futeshim në mësim. Përsa i përket pjesës së informacionit që kemi marrë, jemi përpjekur të përthithim sa më shumë, që t’i vlente puna dhe mësuesit dhe neve. Por arritëm një moment që dhe ne u mërzitëm, ndiheshim të pashpresë dhe tashmë na janë mbledhur shumë mësime stok. Gëzuam që u rikthyem në shkollë,është në të mirën tonë. Edhe mësuesi, atë punë që bënte për gjysëm ore dhe rezultati që merrte në fund ishte i lartë, në mësimin online mësuesi lodhej më tepër dhe rezultati që merrte nga ne ishte i ulët.” – thotë Eleni Kondi, maturante.

Në këto dy muaj të mbetur, vëmendje e veçantë do t’u jepet lëndëve të Maturës Shtetërore, pa abuzuar me të tjerat. Ky është vendimi i marrë nga drejtuesit e shkollës me qëllim që maturantët të hyjnë në provime sa më të qartë dhe të mirëinformuar.

“Është një ditë e veçantë sepse pavarësisht punës maksimale dhe punës së mirë, mësimi online ka mangësitë e veta. Ne do bëjmë përpjekje si staf mësimor që nxënësit maturantë të arrijnë të plotësojnë mangësitë e këtij viti mjaft të vështirë. Fokus i veçantë do të jetë në lëndët që janë provim në maturën shtetërore, jo se lëndët e tjera do ti lëmë jashtë vëmendjes. E gjitha kjo, jo në sensin e ngarkesës së nxënësit, por në sensin e ndihmës për të eleminuar të gjitha mangësitë dhe mosrealizimet e periudhës së kaluar. Ne do jemi në dispozicion si staf kundrejt çdo kërkese të tyre për informacion shtesë, konsultativ, ndihmës lidhur më MSH, jo në sensin e vlerësimit me notë, por për t’i përgatitur sa më mirë. Tashmë që jemi fizikisht, do të aplikojmë edhe testet provë të cilat do të jenë edhe në programin e përsëritjes së MSH, por edhe në orë ekstra. Do të qëndrojmë fort dhe te shëndeti i nxënësit, duke zbatuar protokollin e sigurisë. Mësimin do ta vazhdojmë me dy turne.”- thotë drejtori i gjimnazit “Siri Shapllo”, Afrim Mele.

Nga  gjimnazi “Siri Shapllo” pritet të hyjnë në provimet e MSH 141 maturantë. Drejtues të këtij institucioni arsimor kërkojnë rikthimin në klasa edhe të pjesës tjetër të nxënësve që aktualisht operojnë online, pasi prezenca fizike në procesin mësimor mbetet e pazëvendësueshme.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme