Qarku Gjirokastër vuan mungesën e specialistëve të pyjeve

Sociale | 6 vite më parë

Qarku i Gjirokastrës është ndër qarqet që ka mungesë të specialistëve të pyjeve e kullotave. Këtë e bën të ditur Drejtori i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gligor Dushi. Sipas tij në disa raste ata janë zëvendësuar me agronomë dhe biologë. Kjo mungesë në tregun e punës ka ardhur pasi të rinjtë nuk kanë treguar interes për të studiuar në programe të tilla studimi të cilat i ofrojnë Shkolla e Mesme Pyjore në Shkodër dhe Fakulteti i Pyjeve në Tiranë.

“Ne kemi patur parasysh që stafi t’u pergjigjet kritereve teknike dhe  të përfaqësohet me specialistë të devotshëm. Kemi inxhinierë dhe teknikë pyjesh, ambientalistë dhe inxhinierë mjedisi. Pjesa e inxhinierëve të pyjeve janë në prag të pensionit. Ne kërkojmë ta ripërtërijmë këtë staf, por vërejmë se në Qarkun e Gjirokastrës kemi mungesa të theksuara të specialistëve të pyjeve, të lartë e të mesëm. Duke e krahasuar dhe me stafet në bashkitë e tjera mungojnë në Bashkinë Gjirokastër. Më mirë paraqitet Përmeti, të tjerat kanë mungesa te theksuara.

Baza kryesore e furnizimit me këta specialistë janë Shkolla e Mesme Pyjore në Shkodër dhe Fakulteti i Pyjeve në Tiranë. Me këtë rast, unë u bëj thirrje të rinjve që mbarojnë shkollën e mesme të frekuentojnë këto shkolla pasi vendet e punës janë të lira. Të merresh me natyrën është gjë e bukur.

Në bazë të ligjit të ri të pyjeve janë të detyruara bashkitë të krijojnë struktura të pyjeve e kullotave, pavarësisht se sot  zëvendësohen me agronomë e biologë. Në fakultetin e pyjeve ka disa degë që janë jo vetëm për mbarështimin  dhe shfrytëzimin e pyjeve, por edhe degë të tjera për mjedisin të cilat duhet t’u interesojnë të rinjve se vendet e punës janë të garantuara për të ardhmen dhe të tilla profesione të japin kënaqësi shpirtërore.” –thotë Dushi

Në qarkun e Gjirokastrës 69% të  gjithë territorit të tij e zënë pyjet e kullotat, ku rreth 62.492 ha janë zona të Mbrojtura.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme