Spitali “Omer Nishani” pajiset me aparatura bashkëkohore

Sociale | 6 vite më parë

Spitali Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër është pajisur së fundi me aparatura dhe pajisje bashkëkohore mjekësore, të cilat do të garantojnë cilësi shërbimi e diagnostikim në kohë të çdo pacienti. Nëndrejtori i spitalit Roland Karalli thotë se nga ky investim i qeverisë shqiptare kanë përfituar të gjitha specialitetet dhe shërbimet të cilët nuk do t’i referojnë më pacientët drejt klinikave private apo kryeqytetit, siç ka ndodhur më parë.

“Prej disa ditësh në spitalin tonë, si rezultat i një investimi të qeverisë shqiptare, kanë ardhur një sërë aparaturash tepër moderne, bashkëkohore, të cilat i shërbejnë sferës së otorinos, okulistikës, kardiologjisë, imazherisë, kirurgjisë etj. Shpresojmë që puna dhe shërbimi të ndryshojë katërcipërisht. Janë moderne, fjalë e fundit e shkencës. Vetëkuptohet që për një kolonoskop e dërgonim diku tjetër pacientin, për audiometrinë gjithashtu. Për ekzaminimin e sferës së okulistikës nuk i kishim të gjitha mjetet e domosdoshme. I sëmuri do ekzaminohet këtu, pa u dashur ta referojmë në Tiranë apo klinika private. Me ardhjen e këtyre aparaturave i sëmuri nuk do të mendohet të dërgohet diku tjetër, por do t’i shërbehet këtu dhe do marrë ndihmën mjekësore më të kualifikuar. Vetëkuptohet, kur ekzaminimi është më i hollësishëm sëmundja  evidentohet më lehtë, më shpejt dhe mjekimin do ta marrë në kohën e duhur.”- thotë nëndrejtori i spitalit, Roland Karalli

Spitali rajonal “Omer Nishani” është në shërbim të gjithë banorëve të Qarkut Gjirokastër.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme