Mulliri historik i fshatit Klishar kërkon ndërhyrje

Sociale | 6 vite më parë

Mulliri i fshatit Klishar në bashkinë e Dropullit, mbart shumë histori, në më shumë se 100 a 150 vjet qëkurse u ndërtua. Tashmë duket sikur ai është lënë në mëshirë të kohës, me catinë të rënë dhe mekanizmin e tij bluajtës që ndonëse gjendet po aty si 150 vjet më parë, është jo më tepër se një grumbull veglash e gurësh të papërdorueshëm. Mulliri është një prej 3 më të njohurve mes këtyre fshatrave, por i vetmi mulli i bashkësisë pasi dy të tjerët, ishin nën pronësi të manastirit Shën-Gjergji, aty pranë.

Gurët pak më lart se mulliri, që duken të stërlashtë e të mëdhenj, n’a ngjallin menjëherë kureshtjen e zbulimive arkeologjikë, për të mësuar sa më shumë rreth historisë së kësaj treve që nuk mund të fshehë as sot, rëndësinë e saj mbrojtëse që do të ketë qenë edhe arsyeja e ngulimeve këtu, të qytetërimeve me fortifikime të hershëm që siç besojnë banorët e sotëm, kanë ndoshta histori 2000 a 5000 vjecare.

Mullinjtë si ç’do ngrehinë historike, janë monumente, mbartin vlera kulturore edhe kujtime personalë që bëjnë ç’do institucion, të kujdeset për ta duke mbrojtur pikërisht institucionin më të lartë, kujtesën kombëtare!

Nga rrëfimet e fshatarëve, qartësohet se zona do të ketë qenë ekonomisht e dëgjuar përderisa kishte jo vetëm manastire dhe ujësjellës për ujët e mullinjve që bluanin drithërat e 4 fshatrave por edhe punishte për përpunim duhani që eksportohej madje gjer në Stamboll.

Siç n’a thotë banorët mullinjtë janë ngritur ndoshta që 150 a 200 vjet më parë, kur u krijuan edhe fshatet të cilëve u nevojiteshin. Ai kujton kohën e atëhershme kur fshatarët punonin me ndihmën e kafshëve, stinëve të dimrit e të verës e se, të rritur e të vegjël, shpesh herë rreshtoheshin në rradhë duke pritur për të bluajtur.

Mulliri i fshatit Klishar, doemos që u dhimbset fshatarëve të qetë e të motshëm të këtyre anëve sepse mulliri u bluante të lashtat, u jepte bukë, i mbante gjallë ndaj këta kërkojnë që dikush t’i ndihmojë që mulliri të mos “vdesë”.

Koha i shtyn njerëzit andej-këndej në kërkim të mbijetesës së tyre duke ikur dhe duke ardhur, duke rishkruar dhe rishuar historitë e tyre por mullinjtë duhet të qëndrojnë këtu për t’u dëshmuar të gjithëve, kurdoherë, se Ne, këtu kemi qenë!


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme