Mançester Junajtid zyrtarizon trajnerin e ri

Mançester Junajtid ka bërë të ditur të enjten në mesditë se ka emëruar Erik ten Hagun si trajner të ri të skuadrës, një bashkëpunim ky që nis në fund të këtij sezoni dhe zgjat deri në qershor të 2025-ën, me mundësinë e rinovimit edhe për një vit tjetër. Klubi anglez e bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi emërimin e holandezit në krye të “Djajve të kuq”.
“Gjatë këtyre 4 viteve tek Ajaksi, Eriku e ka dëshmuar veten si një nga trajnerët më tërheqës dhe më të suksesshëm në Evropë, i shquar për futbollin zbavitës dhe sulmues të skuadrës së tij, por edhe përkushtimin në punën me futbollistët e rinj”, – deklaroi Drejtori Sportiv i Mançester Junajtid, Xhon Mërtof.
“Në bisedat tona me Erikun, përpara emërimit të tij, ne na ka lënë mbresa vizioni i tij afatgjatë për ta kthyer Mançester Junajtid në nivelet që ne kërkojmë të konkurrojmë dhe vendosmëria dhe përkushtimi i tij për ta arritur një gjë të tillë, – ka vijuar zyrtari i klubit anglez, duke shtuar: “Ne i urojmë Erikut fat të mbarë, teksa ai përqendrohet në mbylljen me sukses të sezonit aktual me Ajaksin dhe e mirëpresim atë krahëhapur tek Mançester Junajtid këtë verë.”
Ndërkohë, vetë Erik ten Hag ka deklaruar: “Është një nder i jashtëzakonshëm të emërohem trajner i Mançester Junajtid dhe mezi po e pres një sfidë të tillë. Unë e njoh historinë e këtij klubi të madh dhe pasionin e tifozëve të tij dhe jam plotësisht i përkushtuar që të zhvilloj një skuadër që të mundësojë suksesin që Mançester Junajtid meriton.
Do të jetë e vështirë të lë Ajaksin pas këtyre viteve të pabesueshme dhe mund t’i siguroj tifozët për përkushtimin dhe përqendrimin tim të plotë për ta mbyllur me sukses sezonin aktual, përpara se të zhvendosem tek Mançester Junajtid”, – ka përfunduar Ten Hag.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




