Keane rrezikoi këmbën për Botërorin

Ndonjëherë, dëshira për të realizuar me çdo kusht ëndrrën, mund të të kushtojë shtrenjtë, Për këtë mund të thotë diçka më shumë mbrojtësi i Everton dhe kombëtares së Anglisë, Michael Keane, i cili ka qenë i gatshëm të rrezikonte gjithçka për ta lidhur jetën me fushën e blertë, madje edhe me rrezikun për të përfunduar në një gjendje makthi. Në një rrëfim për revistën “Times”, ai zbulon se dëshira për të qenë me çdo kusht në Botërorin e Rusisë mund t’i kishte kushtuar shumë, përtej karrierës.
Gjithçka për shkak të një dëmtimi që në pamje të parë nuk konsiderohej i rëndë por duke luajtur nën mjekimin e vazhdueshmëm, rrezikonte infeksionin dhe si rrjedhojë edhe vetë këmbën. Mbrojtësi i Tofees që gjatë viteve të fundit është përndjekur nga mallkimi i dëmtimeve, e ka frekuentuar shpesh infermierinë e klubit por asgjë nuk mund të krahasohet me makthin e sezonit 2017-2018 kur pas një dëmtimi në Kupë kundër Sunderland ai vazhdoi të luante edhe pse takat e kundërshtarit kishin krijuar një vrimë në çorapet e tij.
“Në fund të pjesës së parë këmba më dhimbte shumë por unë nuk ndalova dhe luajta edhe në pjesën e dytë. Kur hoqa çorapet kishte gjak kudo por as që më shkonte në mendje të hiqja dorë nga ndeshja pasi nuk dëshiroja të humbisja Botërorin”, thekson Keane. Pak ditë më vonë, ai mori lajmin e keq se plaga ishte infektuar ndërsa këmba humbi ndjeshmërinë.
“Pas ndeshjes kundër Arsenal situata u bë e rrezikshme dhe mu desh të shkoja në spital. Nëse do të vazhdoja të luaja, rrezikoja të më prisnin këmbën”, shton mbrojtësi. Pasi qëndroi disa kohë pushim, ai u rikthye në fushë por plaga mbeti e hapur ndërsa forma fizike nuk e lejoi të udhëtonte me Tre Luanët drejt Rusisë. Lojtari ishullor humbi një botëror por mësoi shumë nga kjo eksperiencë që mund të kishte përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




