I ftohti dhe Covid-19 shtyjnë Kupën e Shqipërisë

I ftohti i acartë, që pritet të godasë vendin në këtë fundjavë dhe javën e ardhshme, por dhe shtimi i rasteve me Covid-19 ka detyruar Federatën Shqiptare të Basketbollit që të shtyjë të gjitha aktivitetet kombëtare. Kjo duke nisur nga kjo e premte, atje ku ishin parashikuar të zhvilloheshin gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, Tirana Barleti Basket – Flamurtari dhe Partizani – Tirana, deri të premten e ardhshme më 28 janar.
Të paktën kështu është thënë në njoftimin zyrtar që Federata Shqiptare e Basketbollit e ka shpërndarë nëpërmjet postës elektronike. E ndërkohë, ndërsa rrjedhimisht janë shtyrë dhe gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Tirana – Teuta e Vllaznia – Kamza Basket, që ishin parashikuar të zhvilloheshin të shtunën, Federata Shqiptare e Basketbollit ka lajmëruar se për datat e reja të gjysmëfinaleve do të komunikohen javën e ardhshme.
“Por – thuhet në njoftimin për shtyp të Federatës Shqiptare të Basketbollit – shtyrja e këtyre ndeshjeve nuk do të ndryshojë formën organizative të përcaktuar për këtë fazë nga shortet respektive për secilën kategori, femra e meshkuj”. Po kështu janë shtyrë dhe kampionatet e moshave 16-18 vjeç, ndërsa formatimi i ri i kalendarit do të bëhet para datës 28 janar.
“Duke vlerësuar shëndetin si parësor jemi të detyruar të ndërmarrim këtë masë duke pasur parasysh dhe mungesën e kondicionimit në pjesën më të madhe të sallave sportive në të cilat zhvillohen ndeshjet e basketbollit”, ka përfunduar njoftimi i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




