Ferrari vazhdon me të njëjtin problem

Formula 1 | 3 vite më parë

Charles Leclerc i jep Ferrarit podiumin në GP të Meksikës, por në shkallën më të ulët, sepse fitues ishte si gjithnjë Max Verstappen. Piloti i skuadrës së Maranellos e analizon kështu paraqitjen e tij: “Ky ishte rezultati më i mirë i mundshëm. Vuajtëm shumë me gomat e forta. Makina jonë është shumë e ndjeshme. Megjithatë ne bëmë maksimumin edhe pse makina nuk ishte plotësisht në rregull – ka thënë Lëklerk. I zhgënjyer ka qenë Carlos Sainz për vendin e katërt.

“Nuk ishte një garë e mirë. Është shumë e çuditshme. Në kualifikuese arrijmë poleposition duke qenë tre të dhjetat më të shpejtë se Mercedesi dhe në garë situata është e kundërta” – ka thënë piloti spanjoll i Ferrarit. Ndërsa për paraqitjen e tij shton: “Më duhej të rritja ritmin, por me gomat e fortë nuk e arrija dot. Mercedesi i bën gomat të kenë më shumë jetëgjatësi në pistë. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të përmirësojmë për vitin e ardhshëm. Tani nuk e kemi fleksibilitetin për t’u sjellë si ata”.

Gjysmë i lumtur ka qenë edhe drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseur për rezultatin në Çmimin e Madh të Meksikës. “të dy pilotët tanë nuk e nisën mirë garë, duke i lejuar të tjerët që t’i parakalonin. Aty humbëm kontrollin e situatës duke i sjellë vështirësi të dy pilotëve” – ka thënë ai.

Ndërsa për bilancin e fundjavës, sigurisht që theksi mbetet te menaxhimi i gomave. Fenomen që vazhdon të penalizojë të dyja makinat Ferrari. Ndërkohë që Mercedesi, çuditërisht është më mirë se makinat e kuqe në këtë aspekt.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme