Horner kërkon modifikimin e DRS

Në garën për Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, 10 xhirot e fundit vëmendja u fokusua tërësisht te dueli Verstappen–Leclerc. Parakalime dhe kundër parakalime në pistën e Jeddah ku në fund, flamurin e finishit e preku i pari holandezi, i ndihmuar edhe nga sistemi DRS që në disa segmente ishte shumë favorizues edhe për shkak të pjesëve të gjata. Katër xhiro nga fundi, Verstappen arriti ta kalonte me jo pak vështirësi monegaskun dhe në fund të garës tha diçka që nuk kaloi pa u vënë re, duke theksuar se Leclerc luajti disi pisët por jo kundër rregullores.
I pyetur rreth këtij momenti, shefi i skuadrës Red Bull, Christian Horner theksoi se në pista të caktuara, rregullat që të diktojnë përdorimin e sistemit DRS duhet të jenë më të qarta dhe të rrepta për të evituar një skenë si ajo e fundjavës së kaluar. “DRS është bërë shumë e fuqishme sa mund të kuptojmë shumë qartë betejën si macja me miun mes pilotëve. Ata frenojnë fortë në një pikë dhe më pas rrisin shpejtësinë në mënyrë të papritur kur vjen kthesa. Mendoj se duhet menduar më mirë vendosja e limiteve të zonave DRS. Kjo ndoshta duhet të jetë në projektet për vitet e ardhshme sepse unë mendoj që duhen evituar situata të tilla”, thekson Horner.
Gjatë dy garave të para të sezonit, Verstappen dhe Leclerc kanë finalizuar 10 parakalime ndaj njëri tjetrit, pjesa më e madhe e të cilave të nxitura nga sistemi DRS dhe Horner e pranon që pa këtë sistem, ndoshta garat do të ishin më të mërzitshme por diçka në të ardhmen duhet rishikuar gjithsesi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




