Egnatia, një tjetër hap drejt Superiores

Egnatia jo vetëm që ka fituar në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, por suksesi i djemve të Gugash Maganit ka qenë bindës në fushën e lojës. Tre gola të shënuar, tri pikë të marra dhe një diferencë që rritet në shtatë pikë me ndjekësit.
E në këtë mënyrë Egnatia bëhet më e fortë në ngjitjen e saj në Kategorinë Superiore. E ka nisur ndeshjen me gol, ndërsa Artur Magani, teksa nuk kishin kaluar më shumë se sa 55 sekonda nga starti i ndeshjes, ka shënuar në portën e mbrojtur nga Kaloshi.
Ndeshja është nën ritëm, ndërsa goditjet e dënimit të Mones në të 13’ dhe në të 25’ nuk japin asnjë rrezik në portën e mbrojtur nga Hasanbelli. Madje momentin më të mirë e ka pasur Egnatia për të thelluar në 2-0, por në të 30’, Magani ka bërë më të vështirën, teksa e ka dërguar topin në duart e portierit Kaloshi.
Por qetësia vjen nga Teqja, që në të 36’ ka devijuar në rrjetë topin e harkuar nga këndi prej Çelhakës. E me avantazhin 2-0, skuadrat kanë shkuar në dhomat e zhveshjes. Sapo nis pjesa e dytë vjen dhe goli i tretë i rrogozhinasve, që në të 48’ mban firmën e Santos Laurentinos.
Përfundimisht 3-0, ndërsa Lushnja ka qenë hije e vetvetes, përtej pritshmërive të myzeqarëve, kurse Egnatia një superfuqi që po e dominon në të gjitha drejtimet grupin B të Kategorisë së Parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




