Burreli, Miraka: Erzeni na bëri një dhuratë të bukur

Futboll Vendi | 6 vite më parë

Burreli vazhdon të jetë një nga rivalët më të fortë të skuadrës së Dinamos, largësia mes tyre është reduktuar në një pikë në këtë javë dhe për këtë një meritë ka skuadra e Erzenit, që mundi blutë e kryeqytetit. Ndërkohë, skuadra matjane nga ana e saj korri nje fitore të pastër, 4-0 përballë Veleçikut. Në një lidhje direkte me “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, portiere i skuadrës së Burrelit, Festim Miraka  ka falenderuar shijakasit, por në të njëjtën kohë ka kujtuar se me Dinamon do të kenë mundësinë të përballen tri herë në vazhdim.

“Ishte një dhuratë shumë e bukur nga ana e Erzenit, dua ti falenderoj. Megjithatë, ne kemi besim në aftësitë tona, kemi ndërtuar një ekip për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Kemi dhe tri ndeshje përballë Dinamos. Sigurisht që humbja e tyre na pëlqen”.

“Mund të them se ka një paragjykim për Burrelin, edhe unë kur erdha këtu isha pak skeptik, por jam surprizuar sepse njerëzit këtu e duan futbollin”.

“E kishim vlerësuar Veleçikun, ashtu si çdo ndeshje tjetër. Nuk mund të lejohet një hap i gabuar. Në këtë kategori nuk ka ekipe të lehta. Edhe në Shijak e konsideruam të fituar ndeshjen kur ishim 2-0, shkuam 2-2 dhe mund të kishim humbur. Çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht për të marrë maksimumin”.

“Fusha e Burrelit? Nuk është e mirë, por këto janë kushtet, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Ka edhe më keq, siç është fusha e Orikumit”.

“Përse zgjodha Burrelin? Bëra këtë zgjedhje sepse aty ishte Samuel Nikaj, edhe Kastriot Ramën e kisha, me të cilin kam punuar një vit e gjysëm në Kavajë dhe ia kemi kaluar shumë mirë. Por edhe kushtet, mi plotësuan të gjitha kushtet që kërkova”.

“Në Burrel e duan shumë futbollin. Nëse nuk do ishte pandemia, jam i bindur se në stadium do të ishin 5 apo 6 mijë tifozë për ndeshje”.

“Rivaliteti? Normalisht, kemi një rrugë të vështirë, sepse është Dinamo, një emër i madh i futbollit shqiptarë, është Korabi, por edhe Besëlidhja. Duhet të jemi gjithmonë me këmbë në tokë. Forca e Burrelit mendoj se është grupi”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme