Kukësi, me “gazin në maksimum” në Kupë

Treni i fundit për Europën kalon nga Durrësi. Kukësi, shumë larg zonës objektivave sezonale, mund të shfrytëzojë bonusin Kupë për të prerë biletën kontinentale por fillimisht duhet të kalojë Teutën në “Niko Dovana” në një sfidë të vetme çerekfinale.
Trajneri Mirel Josa beson se kjo është ndeshja që mund të shërbejë si një pikë kthese për verilindorët. “Çdo skuadër ka interest e veta për Kupën. Për ne është rruga e vetme për të pretenduar për një vend në Kupat e Europës. Pavarësisht oshilacioneve, besoj se skuadra është në gjendje të mirë fizike. Shpresojmë që nesër ekipi të japë 100% të mundësive dhe të minimizojmë problemet që kemi”, ka deklaruar trajneri i verilindorëve.
Skuadra është akomoduar në qytetin bregdetar ndërsa stërvitjen e fundit e ka zhvilluar në kompleksin olimpik. Gjatë seancës, trajneri kryeqytetas ka punuar me grupin e plotë ndërsa në këtë duel nuk do të ketë mungesa për shkak kartonësh.
Dy skuadrat janë ndeshur 4 herë për llogari të Kupës së Shqipërisë. Kukësi kryeson me 3 kualifikime ndërsa në çerekfinale, sfida është përsëritur dy herë dhe në të dyja rastet kanë arritur të dalin me kokën lartë verilindorët. Ndeshja do të luhet të mërkurën në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




