Barcelona e Levandovski rigjejnë formën

Barcelona ka rigjetur formën më të mirë në javët e fundit dhe arriti një fitore të rëndësishme, 3-0, në fushën e Atletico Madrid, duke ruajtur diferencën prej tetë pikësh me Real Madrid që kryeson ligën spanjolle. Skuadra e Diego Simeones u ndikua nga lodhja e 120 minutave intensive të së mërkurës kundër Interit në Champions League, por edhe Xavi nga ana e tij pati probleme me mungesat, përfshirë edhe atë të Kanselos që llogaritej në formacion por u tërhoq nga ndeshja për arsye personale. Ashtu si skuadra katalanase, edhe Robert Levandovski ka gjetur formën më të mirë dhe ishte protagonisti i suksesit në Metropolitano. Zhoao Feliks, i huazuar nga Atletico te Barcelona, shënoi golin e parë, pas topit të marrë nga Levandovski. Polaku dyfishoi epërsinë kur ktheu saktë topin me një gjuajtje brenda zonës, pa i lënë mundësi reagimi portierit Oblak. Fermin ishte autor i golit të tretë, duke gjuajtur me kokë pas krosimit nga Levandovski. Tetë pikë nga Real Madrid nuk janë pak, megjithatë Barcelona ka rigjetur entuziazmin e bashkë me të edhe shpresën për trofe në këtë sezon, sidomos në Champions League ku u rikthye në çerekfinale për herë të parë pas katër viteve mungesë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




