Botërori i Mundjes drejt fundit

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Kampionati Botëror i mundjes për moshën deri në 23 vjeç është duke mbërritur në fund. Tashmë ka përfunduar stili i lirë dhe ndeshjet për femra, ndërsa është duke vazhduar stili greko-romak. Betim Vreneci, anëtari i bordit ekzekutiv të Federatës Botërore të Mundjes, por dhe pjesëtar i organizimit të këtij Botërori në Tiranë, tregon se si ishte ky aktivitet në Shqipëri.

“Deri më tani është dita e pestë e kampionatit. Kemi mbi 700 mundës nga ekipet, të cilat me të gjitha delegacionet bëhen 1100 vetë. Kjo do të thotë që është një punë e shkëlqyer e deri më tani për fat të mirë nuk kemi patur probleme”, thotë Vreneci.

I njëjti Botëror për moshën deri në 23 vjeç do të zhvillohet dhe vitin e ardhshëm në Tiranë. Pse ky besim i Federatës Botërore të Mundjes ndaj Shqipërisë?

“E ka marrë besimin nga Federata Botërore e Mundjes për shkak të organizimit të mirë që bëhet dhe pritjes së mirë që i bëhet sportistëve e specialistëve”, bën të ditur Vreneci.

Në rolin e specialistit, Vreneci ka treguar dhe përfaqësimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në këtë Botëror.

“Shqipëria vazhdon në stilin greko-romak ku ka sportistë të mirë dhe që mund të marrin medalje. Kosova ishte me një sportist, i cili nuk ia doli, kurse nga Maqedonia e Veriut ishte një që u priste të merrte medalje, por ndonjëherë është punë fati dhe mbeti edhe ai pa medalje”, pohon Vreneci.

A mundet që një Botëror të tillë ta ketë edhe Kosova?

“Është një nismë që Federata Botërore e Mundjes është në gjendje të prekë me mundjen në çdo shtet qoftë edhe i vogël”, përfundon anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Mundjes.

Kampionati Botëror i mundjes për 23 vjeç përfundon të dielën në mbrëmje në sallën olimpike “Feti Borova”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme