Berisha thirrje diasporës: Nëse vini të votoni më 11 Maj, do i bëni një shërbim historik vendit

Teksa sot (9 maj) mbyllet zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për emigrantët shqiptarë që të nxitojnë të dërgojnë votën e tyre dhe se kush të mundet të vijë ta marr pjesë në votimet e 11 majit.
Berisha e ka cilësuar pjesëmarrjen e diasporës në votime si “një shërbim historik për vendin”, ndërsa shtoi se ata kanë fuqinë të përcaktojnë të ardhmen e vendit përmes votës së tyre.
“Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar.
Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha.
Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në Bulevardin e Ri në mitingun përmbyllës sot në Tiranë.
“Sot ne mbyllim fushatën më të bukur, më entuziaste, më optimiste, që shqiptarëve të lirë, të njerëzve të lirë në Bulevardin e Ri të kryeqytetit. Dy fushata ecën paralel në territoret e vendit. Njëra fushata me detyrim e narkoshtetit dhe tjetra fushata e qytetarëve të lirë të vendosur për të përzënë narkoshtetin.
Sonte, kësaj fushate fantastike, që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë. Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores të datës 11 maj”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





