Përfundon instruktazhi i Policisë në qarkun Lezhë, për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025

Në kuadër të planit të masave të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe Komisariatet në varësi kanë përfunduar instruktazhin e punonjësve të angazhuar në ruajtjen e objekteve zgjedhore, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt.
“Çdo punonjës është trajnuar dhe pajisur me librin e xhepit dhe dokumentin identifikues, sipas numrit kodik. Lista e punonjësve dhe mjeteve të angazhuara është miratuar nga KQZ. Janë ngritur grupet e drejtimit në Komisariate dhe Grupi i Koordinimit në DVP, për të ndjekur në kohë reale mbarëvajtjen e procesit dhe për të menaxhuar çdo situatë, në zbatim të planit të posaçëm të masave. Për çdo QV në territorin e qarkut janë përcaktuar punonjësit e Policisë me përgjegjësi dhe kontakte të qarta, të pasqyruara në hartën digjitale, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe veprimet sipas ligjit.”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së shtunë, do të merren në ruajtje të gjitha QV-të, ndërsa objektet që shërbejnë si KZAZ janë tashmë në ruajtje nga Policia, që prej momentit të mbërritjes së materialeve zgjedhore.
“Nesër në mëngjes, pas dorëzimit të objekteve nga komisionet, punonjësit e Policisë do të tërhiqen përkohësisht dhe do të rikthehen në orën 19:00 për shoqërimin e materialeve në drejtim të KZAZ-ve. Në orën 18:00 të datës 11.05.2025, Policia do të marrë në ruajtje të gjitha VNV-të dhe do të qëndrojë në shërbim deri në përfundim të plotë të numërimit. Janë krijuar grupe të gatshme në çdo komisariat dhe në DVP për reagim të menjëhershëm në çdo rast të paraqitur gjatë ditës së votimit apo në fazën pasuese.”, njofton policia.
Gjatë këtij instruktazhi, punonjësve të Policisë u është përcjellë nga drejtori i DVP-së mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Ilir Proda, i cili i ka falënderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar deri më tani, dhe i ka inkurajuar që me maturi, gjakftohtësi dhe përkushtim maksimal, ta çojnë deri në fund me sukses këtë proces, duke ruajtur imazhin dhe besueshmërinë e Policisë së Shtetit në sytë e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
“DVP Lezhë është e angazhuar të garantojë një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt, ku çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar.”, përfundon njoftimi për shtyp.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





