PD konteston zgjedhjet e 11 majit, Kume: Nuk pritet të ndryshojë rezultati

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Partia Demokratike vijon të kontestojë zgjedhjet e 11 majit. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, tha se me provat e deritanishme, partia ka shanse të sigurojë mandatin e 14-të në Tiranë, çka do t’i hapte rrugë futjes në Kuvend të Ilir Alimehmetit.

“Partia Demokratike, sipas informacioneve që kemi e ka humbur këtë mandat të 14-të për rreth 100 vota. Nga rinumërimi që mund të ketë gjatë kontestimeve, bëhet fjalë për rreth 17 mijë vota të pavlefshme, që për gjykimin tim, patjetër duhet të ekzaminohen me imtësi nga KQZ”, tha përfaqësuesi ligjor i PD-së.  

Në një qëndrim të ndryshëm, eksperti i zgjedhjeve dhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, thotë se ankimimet janë të natyrshme në një sistem demokratik, por nuk parashikohet që ato të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

“Ky është një proces shumë i rëndësishëm, por po aq i vështirë për të arritur në atë që synon, ai që ankohet në pavlefshmërinë e zgjedhjeve”, tha z. Kume.

PD gjithashtu kundërshton votën e diasporës, duke kërkuar që ajo të mos njihet, pasi pretendon se ka patur mangësi në proces dhe mungesë transparence nga KQZ. Partia ka njoftuar se do të informojë edhe ndërkombëtarët për këto shqetësime.

“Për shkak të diasporës dhe problematikave të mëdha që u konstatuan, sidomos me shtetin grek. ne i kemi kërkuar KQZ-së që të mos vijojë me shpalljen e rezultateve deri në një auditim të plotë të asaj problematike”, tha z. Nuri.

Zoti Kume vlerëson votën e diasporës si një hap të rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve jashtë vendit dhe e konsideron procesin zgjedhor në tërësi të rregullt, ndonëse pranon se ka vend për përmirësime. Sipas z. Kume, pretendimet e PD-së për mosnjohjen e votës së diasporës kanë pak gjasa të prodhojnë efekte konkrete, pasi kjo nuk ka ndikuar ndjeshëm në balancën përfundimtare të votës në vend.

“Ky është një proces i suksesshëm. Rezultati i zgjedhjeve nuk ndryshoi nga vota e diasporës”, tha ish-kreu i KQZ-së.

Fjalën e fundit pritet ta japin institucionet vendase dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme