Zgjedhjet- Incident i dhunshëm në një qendër votimi në Maqellarë të Dibrës

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Një incident është regjistruar paraditen e sotme në qendrën e votimit 1122 të vendosura në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër, ku ka patur një përplasje verbale mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste që më pas ka degraduar edhe në dhunë fizike.

Sipas burimeve nga vendngjarja, kandidati i Partisë Socialiste, Danjel Gjura, ka goditur me grusht shtetasin Florian Lazri punonjës i Ujësjellësit, gjatë një debati që mendohet të jetë zhvilluar në lidhje me veprimtari të karakterit elektoral dhe ndikimin mbi votuesit. Lazri thuhet se ishte në mbështetje të kandidatit Agron Malaj.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, policia është thirrur në vendngjarje për të marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe për të nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Deri në momentin e publikimit të këtij informacioni, Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar në lidhje me rastin.

Burime jozyrtare tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje të brendshme brenda strukturave lokale të kësaj force politike, të cilat dyshohet se lidhen me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe ndikimin mbi elektoratin.

Ky incident ndodh në një klimë të tensionuar politike në qarkun e Dibrës, ku rivaliteti mes forcave politike është intensifikuar ndjeshëm në ditët e fundit dhe janë shtuar raportimet për presion mbi votuesit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme