PS kritikon vendimin e KQZ për mospublikim të rezultatit të numërimit elektronik në Vorë dhe Njësinë 10: Arbitrar, i gabuar dhe zhgënjyes

Partia Socialiste, nëpërmjet zëdhënëses së fushatës, Helena Kace, ka kritikuar vendimin e KQZ-së për të mos shpallur rezultatin e numërimit elektronik të votave në Vorë.
Ajo ka ftuar mbështetësit dhe degën e PS-së në Vorë, që të ruajnë qetësinë, duke nënvizuar se “ju jeni dallëndyshja e parë e një fitore të paharrueshme”.
“Mos nxjerrja e rezultateve të Vorës dhe Njësisë 10 nga KQZ, me një vendim arbitrar që bie ndesh me logjikën e votimit elektronik, me traditën e shpalljes menjëherë të rezultatit, si edhe me vetë arsyen e investimit jo të vogël që është bërë për infrastrukturën elektronike, është një vendim arbitrar, i gabuar dhe zhgënjyes për rolin e KQZ si garant i Sovranit popull, e jo i nevojave taktike të partive politike. Jemi të keqardhur për këtë dhe u bëjmë thirrje Partisë Socialiste të Vorës si edhe mbështetësve tanë në Vorë të ruajnë qetësinë. Rezultati është në kuti dhe mos kini asnjë dyshim se asgjë dhe askush nuk e ndryshon dot atë. Ju jeni dallëndyshja e parë e një fitoreje që do të jetë e paharrueshme në historinë e Partisë Socialiste”, tha Kace.
Sipas saj, të gjithë socialistët e përfshirë në proces në të gjithë Shqipërinë duhet të ruajnë qetësinë, t’u shmangen provokimeve dhe të nxjerrin me durim fitoren nga kutitë ku populli Sovran ka kyçur vendimin e tij historik.
Vendimi për mospublikim
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi mbrëmjen e së dielës, se rezultatet e votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, në qendrat e votimit elektronik në Njësinë 10 dhe në Vorë do të publikohen nesër (e hënë).
Në konferencën për shtyp, pas mbylljes së procesit të votimit, Celibashi u shpreh se, “pajisjet elektronike e transmetojnë menjëherë rezultatin dhe kjo nuk ka të bëjë me testimin e tyre, por për të ruajtur integritetin e procesit dhe në përmbushje të kërkesës për të shpallur rezultatin pasi të ketë filluar procesi i tabulatimit për qendrat e votimit ku është votuar manualisht”.
“U dakordësua me të gjitha palët politike dhe patëm konsensus që rezultatet e votimit elektronik në Njësinë 10 dhe në Bashkinë Vorë, dhe në kushtet e një skepticizmi të një pjese të politikës, në lidhje me këtë proces, kemi kërkuar që të përmbushim edhe kërkesën për shpalljen e rezultatit të votimit në këto dy qendra pasi të ketë kaluar procesi i tabulimit të rezultatit për qendrat e votimit, apo KZAZ ku është votuar në mënyrë manuale. Kjo do të thotë që do ta kemi këtë rezultat mëngjesin e së hënës, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit”, tha ai.
Celibashi shpjegoi se, kjo është një kërkesë e PD, teksa nënvizoi se,”qëllimi i këtij projekti pilot (votimi elektronik) më së shumti lidhet me rikonfirmimin e integritetit të përdorimit të kësaj pajisje gjatë procesit të votimit”.
“Nuk ka askush dyshime që pajisja elektronike e transmeton rezultatin menjëherë dhe nuk ka nevojë për ta testuar këtë moment të votimit dhe numërimit. Ajo që është dashur për t’u konfirmuar është ajo që ka të bëjë me integritetin e procesit të votimit nëpërmjet këtyre pajisjeve. Zhvillimi i këtij projekti pilot, këtë ka pasur për qëllim dhe në kushtet kur lehtësisht mund të spekulohet me rezultatin e votimit elektronik, në një kohë kur pjesa dërrmuese e rezultateve nga qendrat e votimit del më vonë, kur do të fillojë procesi pas mesnate, mund të kishte një impakt në këtë proces. Pra për të garantuar integritetin e pjesës dërrmuese të votimit, ndryshe nga votimi elektronik, kemi sakrifikuar transmetimin e menjëhershëm të rezultateve”, tha Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





