Votat e diasporës, numërohen 73 mijë zarfe, PS kryeson me 53.91%

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare, diaspora ka ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit. Votat e shqiptarëve jashtë vendit po numërohen në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë, ku janë grumbulluar të gjitha kutitë me zarfe të ardhura nga vendet ku jeton diaspora.
Procesi i numërimit po ecën me ritme të ngadalta, teksa sipas rezultateve, Partia Socialiste kryeson, duke marrë 53.91%, të votave. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 28.74 % të votave, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet numëron deri më tani 8.41 % të totalit të votave.
Procesi ka regjistruar një pjesëmarrje të lartë 79.24%, ku 194,889 votues kanë dërguar zarfet me votën e tyre nga 245,935 të regjistruar.
Megjithatë, problematikat nuk kanë munguar në Greqi. Një numër i madh zarfeve nuk arritën të shpërndaheshin për shkak të vështirësive me shërbimin postar. Këto problematika kanë shkaktuar tensione politike, pasi Partia Demokratike ka hedhur akuza se eksponentë të PS kanë procesin e votimit përmes marrjes dhe dorëzimit të zarfeve të votuesve nga jashtë. Lidhur me këtë, PD ka kërkuar një numërim të veçantë për kutitë që kanë ardhur nga votimi i diasporës në Greqi.
Zhvillimet minutë pas minute
22:50 | Numërohen mbi 73 mijë zarfa të diasporës, Kryeson PS me 53.91%
Deri tani janë numëruar 73995 vota të diasporës nga 194889 që janë në total, ku Partia Socialiste kryeson me 39531 vota ose 53.91%. Pas saj renditet Koalicioni PD-ASHM me 21075 vota ose 28.74%. Pas dy partive më të mëdha, renditet Nisma-SHB me 6167 vota ose 8.41%.
Partia Mundësia numëron 2543 vota ose 3.47%, duke u ndjekur nga Lëvizja Bashkë e cila ka grumbulluar 1921 vota ose e përkthyer në përqindje 2.62%.
19:35 | Numërohen mbi 64 mijë vota të diasporës, PS në krye me 53.75% të votave
Janë numëruar deri tani 64358 vota të diasporës nga 194889 që janë në total. Sipas të dhënave të KQZ-së, PS udhëheq me shumicën e votave me 34307 vota ose 53.75%, e ndjekur nga koalicioni PD-ASHM me 18465 ose 28.93%.
Nisma-SHB renditët e treta pasi ka siguruar deri më tani 5347 vota ose 8.38%, duke u ndjekur nga Partia Mundësia me 2204 vota ose e përkthyer në përqindje 3.45%.
16:09 | Numërohen mbi 50 mijë vota të diasporës, PS në krye me 53.88% të votave
Në “Parkun Olimpik” vijon ende numërimi i votave të diasporën ndërsa janë numëruar 53203 zarfa nga 194889 në total. Sipas të dhënave të KQZ-së, PS udhëheq me shumicën e votave. Kjo parti ka marrë 28452 vota ose 53.88%, e ndjekur nga koalicioni PD-ASHM me 15251 ose 28.88%.
Nisma-SHB renditët e treta pasi ka siguruar deri më tani 4427 vota ose 8.38%, duke u ndjekur nga Partia Mundësia me 1779 vota ose e përkthyer në përqindje 3.37%.
13:09 | Numërohen 45 mijë zarfe nga 194.889, PS kryeson me dyfishin e votave ndaj PD
Vijon numërimi i votave të diasporës në “Parkun Olimpik”. Deri më tani janë numëruar 45.005 mijë zarfe nga 194.889 që janë në total. Sipas rezultateve paraprake, PS kryeson me 24.348 vota ose 54.50%. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 12.746 vota ose 28.53%, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 3.768 vota ose 8.43%.
07:58 | Numërohen 38 mijë zarfe nga 194.889, PS kryeson me diferencë të thellë
Numërimi i votave të diasporës vijon në “Parkun Olimpik”, ku deri më tani janë numëruar 38 mijë zarfe, nga 194.889 që janë në total. Sipas rezultateve paraprake, PS kryeson me diferencë të thellë, duke marrë 21.305 vota, ose 55.30%. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 10.951 vota, ose 28.42%, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 3.161 vota, ose 8.20%.
22:45 | Vota e Diasporës, numëron 27 600 zarfe, 15 242 vota janë për Partinë Socialiste, për PD+AMSH janë 7 715 vota
Procesi i numërimit të votave të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, vijon normalisht. Në total janë numëruar 27 600 zarfe të ardhura nga diaspora nga 194 889 në total.
Sipas rezultati të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 22:30, 15 242 vota janë për Partinë Socialiste, për PD+AMSH janë 7 715 vota. Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka marrë 2 259 vota; Partia “Mundësia” ka marrë 815 vota; “Lëvizja Bashkë” ka marrë 631 vota; Partia Social-Demokrate ka marrë 261 vota; Partia Koalicioni Euroatlantik ka marrë 184 vota; Koalicioni Djathtas për Zhvillim 75 vota; Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 160 vota; Lëvizja Atdheu ka marrë 37 vota; Partia Aleanca Demokracia e Re 7 vota.

17:45 | Numërohen mbi 21 mijë zarfe të diasporës, kryeson PS
Janë numëruar rreth 21481 zarfa nga 194889 në total të votave të diasporës. Numrin më të madh të votave e shënon PS, ku deri më tani ka marrë 11.701 vota ose 54.9%, duke vijuar me PD-ASHM e cila deri më tani ka grumbulluar 6141 vota ose 28.81%. Pastaj renditet Nisma-SHB me 1788 vota ose 8.39%.
17:45 | Vijon numërimi i votave të diasporës, rezultatet e para tregojnë një epërsi të socialistëve
Vijon numërimi i votave të diasporës në “Parkun Olimpik”, ku rezultatet deri më tani tregojnë epërsi të socialistëve. Deri më tani janë numëruar 10056 zarfa nga 196889 në total.
PS udhëheq me 5573 vota ose 55.80%, ndjekur nga Koalicioni PD-ASHM me 2871 vota ose 28.17 %.
Në vend të tretë renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 811 vota ose 8.12%, ndjekur nga partia Mundësi e cila ka marrë 301 vota ose e përkthyer në përqindje 3.01%.
16:00 | Vijon numërimi i votave të diasporës, PS në epërsi të dukshme
Vijon numërimi i votave të diasporës në “Parkun Olimpik”. Deri më tani janë numëruar 4487 zarfa nga 194889 në total. Sipas rezultateve paraprake PS është në epërsi të dukshme, duke marrë 2467 vota përkthyer në 55.38%. Koalicioni PD-ASHM ka marrë 1302 vota ose 29.23%, ndërsa forca e tretë renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e cila ka marrë 388 vota ose 8.71%.
13:06 | Rinis numërimi, PS kryeson me 46.98%
Ka rinisur procesi i numërimit të votave të diasporës në “Parkun Olimpik, pas një ndërprerje për disa orë për shkak të lodhjes së komisionerëve. Sipas rezultatit paraprak, ku deri më tani janë numëruar 2010 zarfe nga 194889 që janë në total, Partia Socialiste kryeson me 940 vota ose 46.98%, ndjekur nga koalicioni PD-ASHM që ka marrë 784 vota, ose 39.18%. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 149 vota, ose 7.45%, ndërsa Partia Mundësia ka marrë 42 vota, përkthyer në përqindje 2.1%.
12:34 | Ende i pezulluar numërimi i votave të diasporës, Celibashi takim me komisionerët
Në “Parkun Olimpik” nuk ka rifilluar ende numërimi i votave të diasporës. Procesi pritej të rifillonte në orën 10:30, pas një ndërprerje nga komisionerët e të të dyja palëve për shkak të lodhjes, por ende është i pezulluar. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i pranishëm në “Parkun Olimpik”, zhvilloi një takim me komisionerët, duke i bërë thirrje që të fillojnë numërimin.
08:40 | Procesi i numërimit në “Parkun Olimpik” përkohësisht i pezulluar, numëruesit pushim deri në 10:30 prej lodhjes
Në “Parkun Olimpik” gjithçka është pezulluar, pasi numëruesit e të dyja palëve kanë kërkuar një pushim nga lodhja e orëve dhe asaj çfarë kanë kaluar gjatë mbrëmjes së kaluar, një kërkesë që është miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth orës 10:30 të gjithë do të rikthehen brenda godinës së “Parkut Olimpik” për të rinisur numërimin e votave të diasporës, që ka ecur shumë pak.
06:30 | Numërohen 1.660 zarfe, PD-PS diferencë të ngushtë
Votat e diasporës shqiptare, rëndësia e të cilave është tejet e jashtëzakonshme në këto zgjedhje parlamentare, jo vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur lidershipin për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe në ndikimin e rezultatit për subjektet politike e karriget në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga 194 889 zarfeve në total nga diaspora shqiptare në botë, janë numëruar 1.660 vota, ku sipas të dhënave nga KQZ, Partia Demokratike rezulton të jetë në epërsi ndaj Partisë Socialiste.
Partia Demokratike ka marrë besimin e 726 votuesve, Partia Socialiste ka siguruar 705 vota, ndërsa Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 117 vota.
Deri më tani, procesi i numërimit të votave për diasporën ka nisur në disa qarqe, konkretisht në Shkodër, Kukës, Lezhë, dhe Berat. Ndërkohë, në qarqet e tjera, procesi i numërimit nuk ka nisur ende.
03:30 | Numërohen mbi 200 zarfet e para të diasporës, kryeson PD
Në Parkun Olimpik ka nisur numërimi i votave të diasporës. Deri më tani sipas KQZ janë numëruar vetëm 261 zarfe nga 194.889 që janë në total, ku koalicioni PD-ASHM ka marrë 196 vota ose 75.38 %, ndërsa PS ka marrë 52 vota ose 20%.
Në procesin e numërimit të votave të diasporës nuk përfshihen ato të Greqisë, pas vendimit të KQZ për t’i numëruar më veçmas.
01:50 | Vendimi i KQZ për Greqinë, Mazniku: Votat duhet të numërohen bashkë. Në Elbasan sigurojmë mbi 9 deputetë
Drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku ka komentuar për RTSH 24 jo vetëm vendimin e KQZ për votimin e veçantë të votave të emigrantëve në Greqi, por edhe pritshmëritë për fitoren e mbi 9 deputetëve në qarkun që ai drejton.
Mazniku deklaroi se votat e shqiptarëve duhet të numërohen të gjitha dhe nuk kanë pse të ndahen. Ai shtoi kërkesa e PD për numërimin e votave të diasporës në Greqi ndaras nga shtetet e tjera, nuk është tjetër veçse mekanizma për mbrojtje nga alibia e humbjes.
“Votat e emigrantëve në Greqi, vendim për t’u lënë mënjanë.
Unë besoj se votat e shqiptarëve duhet të numërohen të gjitha dhe nuk kanë pse të ndahen. Duhet që të mos bllokojmë procese me presupozime, por me fakte. Nëse ka fakte, ato duhet të prezantohen dhe faktet të shqyrtohen nga autoritetet.
Kemi pasur gjatë gjithë ditës një mori momentesh konflikti që janë bazuar në presupozime që më pas nuk janë vërtetuar asnjëherë. Gjithë dita ka pasur këtë logjikë.
Këto janë pjesë të mekanizmave që kanë nisur para disa ditësh dhe lidhen me alibinë e humbjes, për të bërë pis një proces që edhe pala tjetër e lexon deri diku rezultatin”, u shpreh Mazniku.
01:40 | KQZ vendos numërim veçmas për votat e Greqisë, Noka: Vendim i drejtë, trajtimi i tyre do kujdes
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka komentuar vendimin e KQZ për vendosjen e numërimit veçmas të votës së diasporës. Në një intervistë për RTSH 24, Noka e cilësoi këtë vendim të drejtë, pasi sipas tij, në procesin e votimit në Greqi ka pasur parregullsi.
“Kjo është një kërkese e jona në mënyrë të përditshme që procesi i numërimit të votave të diasporës në Greqi të nis veçmas pas informacione dhe fakteve që kemi. Ka dy orë procesi i bllokuar nga ana e PS dhe më vjen mirë që ky vendim i KQZ i hap rrugë fillimit të procesit të numërimit të votave të diasporës. Ky vendim nuk është në favor të kërkesës tonë, por është një vendim i drejtë nga faktet dhe kërkesat që kemi paraqitur ne. Në Greqi ka patur problematika të rënda që duhen trajtuar në fund. Lontrata ligjërisht nuk i lejohen DHL-së të ketë nënkontraktorë, por kjo është shkelur në Greqi. Gjithashtu kemi denoncomë nga njerëz në Greqi se kanë votuar persona të tjerë në emër të tyre. Kjo duhet trajtuar me qetësi dhe kujdes, kjo është e gjitha”, tha Noka.
01:30 | KQZ vendos numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi
KQZ ka vendosur numërimin e veçantë për numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin që rregullon administrimin dhe vlerësimin e zarfeve “B”, pjesë e dokumentacionit të votimit nga jashtë, në rastet kur këto zarfe nuk vlerësohen nga Grupi i Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ) dhe/ose Komisioni për Numërimin dhe Vlerësimin e Votave nga Jashtë (KANVVJ).
Sipas vendimit të miratuar, zarfe të tilla do të mblidhen dhe ruhet në një kuti të sigurt, siç është parashikuar për kutitë e votimit brenda vendit. Kjo kuti do të mbyllet me vula sigurie dhe numrat përkatës do të regjistrohen në një procesverbal. Origjinali i këtij procesverbali do t’i dorëzohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përveç kësaj, zarfe që nuk vlerësohen do të kalojnë në një proces të mëtejshëm shqyrtimi, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve përkatëse që rregullojnë zgjedhjet.
00:20 | Tensione për votat e diasporës, Celibashi: Kemi bllokim për qarkun e Korçës! Do marrim vendim për qarqet e tjera

Numërimi i votave të diasporës nga Greqia, ka krijuar tensione në Parkun Olimpik, pasi forca e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike i konteston këto vota, pasi pretendon se janë plotësuar nga persona të Partisë Socialiste.
Ky tension, ka krijuar bllokim të numërimit të qarkut të Korçës, vendim ky i marrë nga komisioni i administrimit të votave nga jashtë. Por për qarqet e tjera, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se do të jetë KQZ ajo që do të marrë një vendim.
Ndërkohë, pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën e PD-së që numërimi i votave të diasporës në Greqi të jetë veçmas nga ai i diasporës në vende të tjera, Celibashi u shpreh se këto vota nuk mund të trajtohen ndryshe nga të tjerat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




