Shella: Sali Berisha duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta, ka prekur afatet e skadencës politike

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Në studion e emisionit maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, drejtuar nga gazetari Nolian Lole, në RTSH,  juristi Gerti Shella, duke iu referuar rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 11 majit, u shpreh se fitorja e PS-së në Tiranë është preludi i asaj që ka për të ndodhur në gjithë qarqet e tjera të vendit.

Shella deklaroi se me këtë trend rritjeje për PS-në, lideri demokrat, Sali Berisha, duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta pas 16 vitesh në opozitë.

Ai u shpreh se me këtë trend rritës, socialistët do të thyejnë rekordin e vet elektoral.

“Pavarësisht ndryshimeve dhe reformës territoriale, më vjen keq të konstatoj se të vetmet qarqe që flasin për koalicionin PD-ASHM verifikohen në dy apo tri qarqe në pjesën veriore të vendit. Me sa kuptohet nuk po i shmangemi dot parapëlqimit politik dhe vazhdon të qëndrojë e mbërthyer në ato istikamet Veri-Jug.

Me këtë trend, PD-ja nuk ka mundur të kalojë vetveten, duke qenë larg pritshmërisë së saj në këto zgjedhje. Nëse ky do jetë rezultati përfundimtar mendoj se PD-ja duhet të futet në një proces duke njohur fundin e vet duke rigjetur veten e organizuar ndryshe. Mendoj se lideri Sali Berisha duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta, sepse duke qenë prej 16 vitesh në opozitë ka prekur afatet e veta të skadencës politike.”

Duke komentuar raportin paraprak të OSBE-ODIHR, Shella u shpreh se në raport nuk u tha nëse janë arritur standardet apo jo, por vetëm u listuan disa problematika.

“Ata listuan disa përgojime që dikush ua tha, e morën dhe e thanë para gazetarëve tanë. Mendoj se ne duhet ta ulim pritshmërinë që kemi për raportet e kësaj natyre.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme