Numërimi i votave, Celibashi thirrje partive politike: Ndryshoni anëtarët e grupeve të numërimit!

Procesi i numërimit të votave duket se po ecën me ritme të ngadalta, ndërsa kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se shkak për këtë është lodhja e anëtarëve të grupeve të numërimit. Në një konferencë për mediat, Celibashi i bëri thirrje partive politike që të ndryshojnë anëtarët e grupeve të numërimit dhe të organizojnë një sistem me turne për të mos ndërprerë procesin e numërimit.
“Është mbyllur në tërësi procesi i numërimit për 22 bashki, duke përfshirë edhe bashkinë e Vorës. Janë 24 KZAZ që e kanë përfunduar procesin e numërimit dhe tabulimit të rezultateve dhe kanë vendosur për shkak të lodhjes të fillojnë nesër me procesin e numërimit të votave për kandidatët e listës së hapur. Në përgjithësi aspketi dokumentar i numërimit ka shkuar shumë mirë, por vazhdojmë të kemi problematika me ecurinë dhe vazhdimësinë normale të këtij procesi. Në pjesën më të madhe kjo ecuri është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve dhe anëtarëve të KZAZ. I bëj thirrje partive politike që kanë anëtar në grupet e numërimit që të organizohen dhe të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Duhet të organizojmë sistem me turne, nuk mund të ndalojmë procesin e numërimit. E kemi bërë këtë komunikim edhe me drejtuesit e partive politike”, tha Celibashi.
Edhe në lidhje me numërimin e votave të diasporës, që po ashtu po ecën me ritme të ngadalta, Celibashi përsëriti të njëjtën thirrje për partitë politike.
“Sa i përket numërimit të votave nga jashtë. Ritmet janë të ulëta për shkak të performancës të grupeve të numërimit, janë të lodhur dukshëm, ka prej tyre që janë 48 orë nonstop dhe ndaj meriton të merret në konsideratë thirrja për partitë që të ndërtojnë një sistem të ndryshimit të personave. Është e pamundur që për 24 orë një njeri të bëjë këtë punë”, theksoi ai.
Ndalur te problemi me votat e ardhura nga Greqia, Celibashi tha se ato do t’i nënshtrohen numërimit dhe se është vetëm çështje kohe.
“Vendimi që si komisioner kam marrë nuk ka të bëjë me do numërohen apo jo votat. Është një vendim për të administruar procesin. Ne do të vendosim në lidhje me të gjithë procesin e votimit nga jashtë, si për votat e Greqisë dhe çdo flete votimi. Nuk ka një gjykim dhe vlerësim mbi votat që kanë ardhur nga Greqia. Nuk vendosim apriori, do t’i nënshtrohen numërimit sikurse edhe votat e ardhura nga shtete e tjera është vetëm çështje kohe dhe në këtë rast do shqyrtohen edhe pretendimet për votat nga Greqia apo vende të tjera”, u shpreh ai.
Deri më tani në rang vendi janë numëruar votat në 3330 qendra votimi nga 5225 që janë në total, ku PS kryeson me 52.56%, ndërsa PD-ASHM ka marrë 34.12%.
Nga votat e diasporës janë numëruar 15.302 zarfe, nga 194.889 që janë në total, ku po ashtu kryeson PS me 55.87%, ndërsa PD-ASHM ka marrë 28.01%.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





