Me projeksionet e reja, PS drejt 84 mandateve. Pritet vota e diasporës
Kur ende nuk ka mbaruar numërimi i votave të diasporës, projeksioni i Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë është bërë shumë i qartë.
Me një mazhorancë prej 83 deputetësh, deri tani, Partia Socialiste do të dominojë e vetme vendimet më të rëndësishme për katër vitet e ardhshme, me një fuqi parlamentare pothuajse të pakushtëzuar. Rritja e lehtë e votave në krahasim më zgjedhjet e kaluara, përfshirë dhe votën e diasporës, i ka mundësuar Partisë Socialiste 9 mandate më shumë.
Rritja në vota e PS-së do të bëhet më e dukshme kur të përfundojë numërimi i votave të diasporës. Këto vota do të zgjidhin edhe një pikëpyetje: A do e marrë PS-ja mandatin e 84-t, duke realizuar plotësisht objektivin e kryeministrit Edi Rama për një mandat të fortë me shumicë të cilësuar?
Përgjigja ndodhet tek votat e Greqisë, të cilat mund të ndikojnë për mandatin e fundit të paqëndrueshëm të Tiranës, që aktualisht ka ikur nga Partia Demokratike tek Mundësia e Agron Shehajt.
Se çfarë diference kanë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në këto zgjedhje, mjafton të shihen mandatet e prodhuara nga lista e hapur, ajo që vendos për fitoren ose humbjen e zgjedhjeve. Partia Socialiste ka marrë 37 deputetë nga listat e hapura, Partia Demokratike vetëm 7, ndërsa në tri qarqe nuk ruajti dot as mandatet e listës së sigurt.
Opozita ka një rënie drastike me rreth 200 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe kjo shpjegon humbjen e thellë dhe diferencën e madhe në mandate mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kur të krahasohet në fund me partinë në pushtet, opozita do të shohë se është mbrapa me rreth 300 mijë vota.
Zgjedhjet e 11 majit kanë një risi, partitë e vogla. Po të bëhen bashkë, pa PSD-në, ato kanë marrë, deri tani rreth 150 mijë vota dhe do të vazhdojnë të rriten më ngadalë me votën e diasporës. Forca e tretë është koalicioni i përfaqësuar nga Adriatik Lapaj, i cili, megjithëse ka marrë më shumë vota se të tjerët, ka prodhuar vetëm një mandat, pasi votat i ka pasur të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.
Me përqendrimin e votave në qarkun e Shkodrës dhe në Tiranë, Partia e Tom Doshit, ka ruajtur tri mandate deputetësh. Këtë logjikë ka ndjekur edhe partia Mundësia e Agron Shehajt, e cila ka më shumë vota në Tiranë dhe po përpiqet të ruajë mandatin e dytë.
Gazetare: Elona Meço
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





