Ligjshmëria e votave të diasporës, PD kërkon auditim. Celibashi: Të pavlefshme nëse faktohen
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se votat e diasporës kanë mbërritur në vend vetëm përmes shërbimit postar.
Ka qenë ky një reagim për akuzat e Partisë Demokratike, sipas së cilës shumë zarfe me vota të diasporës kanë mbërritur nga kompani të nënkontraktuara, madje edhe dorazi në KQZ, veçanërisht ato të Greqisë.
“Janë zarfe të DHL-së, por nuk kanë ardhur nëpërmjet rrugës në male, por nëpërmjet shërbimit postar të një operatori tjetër postar, përfshirë edhe Postën Shqiptare apo shërbim tjetër postar. Si zarfe, janë zarfe të DHL-së,” u shpreh z. Celibashi.
Kryekomisioneri Celibashi tha se procesi po vijon normalisht, ndërsa iu referua parashikimeve të ligjit nëse verifikohet shkelja e tij, ashtu sikurse pretendon opozita për votat e mbërritura nga Greqia.
“Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe nëse shkeljet janë të tilla që ndikojnë në rezultat, çdolloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm,” tha kreu i KQZ-së.
Partia Demokratike, e cila quan të manipuluar procesin, kërkon auditim me ekspertë të pavarur.
“I kërkojmë zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryerjen e një auditi të plotë me ekspertë të pavarur për të gjithë hapat e këtij procesi të korruptuar deri në palcë. Duke filluar nga regjistrimi i zgjedhësve, nga prodhimi i fletës së votimit, nga çdo hap tjetër i administrimit të fletës së mbërritur për votimin e diasporës nga jashtë,” deklaroi sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.
Gjithashtu PD-ja kërkon që KQZ-ja të mos nxjerrë asnjë rezutltat për diasporën deri kur auditi i pavarur të bëjë transparencën, tha Kaso.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





