Ku gabuan partitë e reja? 130 mijë vota vetëm për katër mandate

Politikë | 1 vit më parë

Në këto zgjedhje, partitë e vogla kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash preferenciale, ndonëse ky rezultat nuk është përkthyer në një numër të barabartë mandatesh në Kuvend.

Politologu Ermal Hasimja thekson se sistemi zgjedhor aktual është ndërtuar në mënyrë të tillë që favorizon partitë e mëdha, duke i lënë të voglat në një pozitë më të pafavorshme për përfaqësim të drejtë.

“Partitë vetë nuk kanë bërë ndonjë gabim, domethënë kanë bërë fushatën e tyre, një fushatë shumë të suksesshme në mbledhjen e votave. Praktikisht ato janë futur kundër një sistemi të tërë që i penalizonte kundër Ligjit Zgjedhor të miratuar nga PS-ja dhe PD-ja për t’i penguar. Këtyre partive u është dashur t’i zhvillojnë fushatat e tyre kundër Ligjit Elektoral dhe nga ana tjetër pa mbështetjen gjigante që jep shteti,” shprehet z. Hasimja.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, disa nga partitë e vogla do të kenë përfaqësim në parlament, me përjashtim të Koalicionit Euroatlantik, i cili nuk arriti të sigurojë asnjë mandat.

Sipas z. Hasimja, këto parti mund të luajnë një rol të rëndësishëm në Kuvend, duke ndikuar në diskutimet dhe vendimmarrjet politike.

“Në këtë Parlament, ndikimi i tyre do të jetë i rëndësishëm, sepse siç e ka treguar rasti i Agron Shehajt, kur ka denoncuar skandale për të cilat edhe vetë PD-ja e ka mbyllur gojën, jo më PS-ja. Kështu që prania e tyre është e rëndësishme. Së dyti, është hapi i parë. Tani u hoq perceptimi se vota për këto parti është votë e hedhur dëm,” thotë politologu.

Po si do jetë përfaqësimi i partive të vogla dhe çfarë ndikimi do të sjellë?

“Me katër deputetë: dy Partia Mundësia, një Lëvizja Bashkë dhe një Nisma Shqipëria Bëhet është një arritje shumë e madhe, sepse e kanë thyer këtë lloj përpjekjeje, këtë digë, për t’i penguar që të futen në Parlament,” thekson z. Hasimja.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë votuesit kanë treguar një prirje të qartë për të mbështetur edhe partitë më të vogla, duke shprehur kështu besimin te politikat dhe strategjitë që ato propozojnë. 

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme