Berisha: Zgjedhjet ishin farsë, jo proces demokratik. SPAK u përdor për terror politik mbi opozitën

Politikë | 1 vit më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sërish akuza se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale ku, sipas tij, nga qeveria u përdorë çdo mjet dhe mënyrë për t’i vjedhur.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë se ka shkelur rëndë dokumentin e Kopenhagenit, Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Sipas tij, zgjedhësit nuk patën mundësi të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, ndërsa procesi u shoqërua me presione, shkelje dhe përdorim të administratës shtetërore në funksion të pushtetit.

“Në ligjet ndërkombëtare, dokumentin e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, Kushtetutën e vendit dhe kodin zgjedhor, kërkohet që në një proces zgjedhor të zhvillohet në përputhje me përcaktimet e këtyre ligjeve, këtyre parimeve. Në të kundërt ai nuk është një proces zgjedhor, por një farsë zgjedhore. Në këto zgjedhje u shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta, për të cilat Shqipëria ka firmosur dokumentin e Kopenhagenit. Ajo që ka ndodhur me 11 Maj, dhe të gjithë periudhën pararendëse, për zgjedhjet e 11 Majit, është një përmbysje e plotë e parimeve më themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat kërkojnë që zgjedhësit të shprehin mendimin e tyre lirshëm për përfaqësuesit që zgjedhin. Është bërë tashmë e njohur se kontrolli i vullnetit të zgjedhësve ishte i shumëformshëm dhe i përhapur në mbarë vendin”, tha Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu SPAK për heshtje dhe përfshirje në atë që e cilësoi “terrorizëm politik” kundër opozitës.

“Në këto zgjedhje, si kurrë më parë, shteti i tërë doli lakuriq në tërë shëmtinë e tij kundër qytetarëve. E morët vesh ju se si veproi administrata gjatë këtij procesi, se si e mbylli gojën, se si shërbeu si shpifë e partisë, Skapi i Dumanit, se si heshti para dhjetëra e dhjetëra padive, para veprimtarisë më të egër kriminale të bandave. E morët vesh ju se si sistemi i drejtësisë u përdor për të burgosur liderët e tre partive kryesore opozitare dhe marrë mandate të tjera. Për të ushtruar terror politik mbi opozitën”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme