Parlamenti me 67 deputetë të rinj – 50 gra në Kuvend, sistemi u mundësoi fitoren 45 kandidatëve të listës së hapur

Politikë | 1 vit më parë

Zgjedhjet e 11 majit kanë prodhuar një shumicë të re parlamentare, ku Partia Socialiste siguron mandatin e katërt radhazi për të qeverisur vendin e vetme.

Të majtët kanë marrë 83 mandate, ndërsa opozita e drejtuar nga koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore del me 50 vende në Kuvend, rezultati më i dobët në dy dekadat e fundit për demokratët.

Përtej dy forcave kryesore, parlamenti do të ketë edhe katër parti të tjera: Partia Socialdemokrate me 3 deputetë (2 deputete gra), mes tyre Tom Doshi, që rikthehet në Kuvend; “Mundësia” e Agron Shehajt me 2 mandate; Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit me 1 mandat; dhe Nisma “Shqipëria Bëhet” me 1 mandat (deputete grua).

Nga 140 deputetë në total, 95 janë zgjedhur nga listat e mbyllura dhe 45 përmes votës preferenciale të qytetarëve.

Nga radhët e Partisë Socialiste në Kuvend, 53 janë emra të rinj. PS-ja do të përfaqësohet me 34 gra dhe 48 burra.

Në kampin opozitar, PD-ja dhe aleatët e saj sjellin 13 gra dhe 37 burra në Kuvend, por shumica janë rikthime dhe figura të afërta me liderin historik të së djathtës, Sali Berisha.

Edhe pse sistemi i listave të hapura synoi rritjen e përfaqësimit qytetar, vetëm një pjesë e vogël e kandidatëve arritën të zgjidhen nga fundi i listës. 

Në përfundim të numërimit, harta politike tregon një fitore të thellë për socialistët në zona kyçe, si Vlora, Tirana, Fieri e Durrësi, ndërsa opozita ruajti avantazhin vetëm në Kukës, Shkodër dhe Lezhë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme