Kim Mehmeti: “Kur shkova për herë të parë në Shqipëri, ndihesha si pelegrin që më në fund kishte mbërritur në vendin e shenjtë”
Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka ndarë emocionet e udhëtimit të tij të parë në Shqipëri në vitin 1990, duke e përshkruar këtë përvojë si një udhëtim shpirtëror drejt një vendi që e kishte idealizuar për dekada.
I ftuar në podcastin “Nazarko”, që transmetohet në RTSH 1 dhe udhëhiqet nga gazetari Mentor Nazarko, Mehmeti rrëfen ndjesinë e përjetuar kur kaloi kufirin për herë të parë.
“Nuk e di si ta shpjegoj… ajo që ndjeja nuk ishte thjesht mall për një vend që nuk e njihja, por një nevojë e thellë për të qenë aty. Ishte si të shkoja në një vend të shenjtë, si pelegrin,” tregon ai gjatë intervistës.
Mehmeti thekson se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ishte më shumë një ide romantike sesa një realitet i njohur. Ai e përshkruan këtë ndjesi si një mit që ndërtohej në mungesë të përvojës direkte, duke e bërë Shqipërinë të duket e paarritshme dhe e pastër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




