Buxheti 2027 i SHISH-it, debate në komision për çështjen e Vlora Hysenit dhe raportin e auditimit
Buxheti i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) për vitin 2027 është shoqëruar me debate në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Gjatë mbledhjes, kreu i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, prezantoi planifikimin buxhetor të institucionit, duke përfshirë fondet për pagat, sigurinë dhe shpenzimet operative.
Në nisje të raportimit, ai kërkoi që diskutimi të zhvillohej me dyer të mbyllura.
“Sugjeroj që pjesa tjetër e mbledhjes të kalojë në e mbyllur”, tha Lila.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan më shumë transparencë për diskutimin e zërave buxhetorë. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan gjithashtu informacion mbi situatën në SHISH, duke e lidhur debatin me çështjen e Vlora Hysenit dhe pasojat që ajo mund të ketë pasur për institucionin.
pas skandalit me ish-drejtoreshën Vlora Hyseni, e cila është e akuzuar nga SPAK për bashkëpunim me personat që janë pjesë e krimit të organizuar me shitje të informacioneve, nuk ka çarë t’i mbyllni dyert, është e hapur, i ka ikur çatia, domethënë themelet e sigurisë së shtetit kanë rënë”, tha Isuf Çelaj.
“Zoti drejtor i komanduar ka interes të madh publik për të ditur situatën në të cilët ndodhet shërbimi informativ sot mbi besueshmërinë e tij, mbi raportin dhe marrëdhëniet me shërbimet aleate, nëse është cenuar kjo, nëse është dëmtuar kjo”, tha Erald Kapri.
Përgjigjen e dha kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, i cili sqaroi se angazhimi për auditimin e SHISH-it ishte marrë më herët në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, rezultatet e auditimit parashikohet të prezantohen në këtë kuadër.
“Ky angazhim është marrë në Këshillin e Sigurisë përpara presidentit dhe besoj ë ai do jetë dhe forumi ku do paraqesin edhe gjetjet në lidhje me këtë audit të brendshëm”, tha Çuçi.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura, me argumentin se diskutimet mbi veprimtarinë dhe buxhetin e Shërbimit Informativ përfshijnë edhe çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




