Stephen Miller emërohet shef i stafit në Shtëpinë e Bardhë

Amerikë | 8 minuta më parë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të premten emërimin e këshilltarit të tij të ngushtë dhe Zëvendësshefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë për Politikat, Stephen Miller, si Shef të ri të Stafit.

Ky vendim vjen si një ngritje në detyrë për arkitektin e politikës së tij të ashpër kundër migracionit, menjëherë pas humbjes së thellë të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit.

Miller do të zëvendësojë shefen e deritanishme të stafit, Susie Wiles, duke nisur nga dita e hënë, më 9 nëntor 2026.

Trump e bëri me dije lajmin në rrjetin e tij social Truth Social, ku e falënderoi zonjën Wiles për një “punë të shkëlqyer”.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se z. Stephen Miller, Zëvendësshefi i tanishëm i Stafit të Administratës Trump dhe një nga këshilltarët e mi më të besuar, do të marrë detyrën e Shefit të Stafit duke nisur nga e hëna, 9 nëntor 2026”, shkroi Trump.

“Susie Wiles, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme, do të kalojë te Operacioni Politike i Trump. Dua ta falënderoj për shërbimin e saj si Shefe e Stafit – ajo ka bërë një punë të mrekullueshme!”

Miller, 41 vjeç, ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trump për më shumë se një dekadë dhe konsiderohet si zëri më i fuqishëm dhe më radikal i presidentit për çështjet e imigracionit.   Miller, i cili mban gjithashtu titullin e këshilltarit për sigurinë kombëtare, ka luajtur një rol kyç në udhëheqjen e programit të dëbimeve masive gjatë mandatit të dytë të Trump-it — një fushatë që shpesh ka përfshirë aksione dhe bastisje nga agjentë të maskuar.

Ai është përballur me kritika të ashpra, veçanërisht pas incidentit tragjik në Minneapolis gjatë muajit janar, ku dy protestues u vranë nga agjentët e imigracionit, ngjarje kjo që nxiti protesta masive në vend.

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin e SHBA-së u zotua të premten për një rezistencë të fortë ndaj emërimit të Miller-it.

“Stephen Miller është arkitekti i politikave më barbare dhe më çnjerëzore të kësaj administrate.  Trump nuk mund të bënte një zgjedhje më të keqe. Shumica jonë demokratike do ta luftojë atë në çdo hap të rrugës”, shkroi Chuck Schumer, në rrjetin social X.

Së fundmi, Shtëpia e Bardhë kishte hedhur poshtë raportimet se Susie Wiles — gruaja e parë në historinë e SHBA-së që mbajti postin e shefes së stafit — pritej të shkarkohej.

Megjithatë, vendosja e Miller-it në krye të stafit tregon se Trump është i vendosur të përforcojë linjën e tij të ashpër politike, pasi republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit përballë demokratëve në zgjedhjet e fundit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme