Tre kandidatë të PD kërkojnë rinumërimin e votave në Tiranë, depozitojnë kërkesat në KAS
Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht rinumërimin ose rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun e Tiranës, duke depozituar një kërkesë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Tre kandidatët e kësaj force politike, të cilët nuk siguruan dot një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha pretendojnë se gjatë procesit të numërimit janë konstatuar parregullsi serioze, që mund të kenë ndikuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve.
Ilir Alimehmeti, një nga më të votuarit në listën e PD-së, deklaron se ka identifikuar disa raste ku votat e tij janë numëruar gabim ose janë kaluar tek kandidatë të tjerë. Në një nga qendrat e votimit, ai pretendon se 27 vota preferenciale janë zhdukur, duke iu shënuar 0 në tabelën përmbledhëse.
“Vetëm nga këqyrjet e deritanishme janë konstatuar gabime në rreth 5% të votave. Duke qenë se diferenca me kandidatin para meje është vetëm 1,2%, rezultati mund të ndryshojë ndjeshëm pas rinumërimit,” thotë ai.
Mimoza Hajdarmataj ka ngritur shqetësime të ngjashme, duke përmendur mbi 1.000 vota problematike në të paktën 6 KZAZ, ndërsa Lisandër Hoxha deklaron se ka identifikuar vota të tij të regjistruara në emër të një kandidati tjetër.
Në kërkesën e tyre, tre kandidatët theksojnë se numërimi ka pasur problematika në të gjithë qarkun e Tiranës dhe kërkojnë verifikim të plotë në çdo QV.
Tashmë mbetet në dorën e KAS-it të vendosë nëse do të hapet rruga për një rinumërim të mundshëm, që mund të ndryshojë ekuilibrat brenda listës së PD-së.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





