Përplasjet përshkallëzohen, protestuesit në Serbi rikthehen në rrugë përballë reagimit të qeverisë

Mijëra protestues antiqeveritarë janë rikthyer në rrugët e Serbisë, duke shënuar një përshkallëzim serioz të tensioneve pas dy ditësh përleshjesh me mbështetësit e presidentit, Aleksandar Vuçiç dhe policisë së trazirave.
Trazirat e fundit kanë lënë dhjetëra të plagosur dhe të ndaluar, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Në qytetin verior të Novi Sadit, ku filluan protestat nëntë muaj më parë, protestuesit e rinj shkatërruan zyrat e Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit. Ata thyen xhamat dhe morën dokumente e mobilje, ndërsa policia dhe mbështetësit e presidentit, që kishin ruajtur zyrën për muaj, nuk u panë gjëkundi.
Në Beograd, kryeqytetin serb, policia qëlloi gaz lotsjellës në dy zona për të mbajtur larg grupet rivale të protestuesve dhe mbështetësve. Pamjet dramatike treguan protestues që vraponin në panik dhe rrëzoheshin përtokë ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga zona e trazirave.

Vuçiç paralajmëron goditje, BE shpreh shqetësim
Presidenti Vuçiç, në një deklaratë për televizionin pro-qeveritar, u zotua se “shteti do të fitojë” dhe paralajmëroi për një goditje ndaj protestuesve, të cilët i akuzoi se po nxisin dhunën dhe janë “armiq të vendit të tyre”. Ai përsëriti gjithashtu pretendimet se protestat janë të orkestruara nga jashtë, pa ofruar prova konkrete.
Përleshjet e fundit përfaqësojnë një rritje të dhunës në demonstratat, të cilat fillimisht ishin kryesisht paqësore. Të mërkurën, grupet rivale hodhën gurë dhe shishe ndaj njëri-tjetrit. Në një incident të veçantë, një oficer i sigurisë së ushtrisë në zyrat e partisë qëlloi me armë në ajër, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik.
Marta Kos, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, e quajti dhunën “thellësisht shqetësuese”, duke theksuar se “përparimi në rrugën drejt BE-së kërkon që qytetarët të shprehin lirisht pikëpamjet e tyre dhe gazetarët të raportojnë pa frikësim apo sulme”.
Shkaku dhe kërkesat e protestuesve
Protestat filluan në nëntor, pas shembjes së një tendë të stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Ky incident ngjalli akuza të forta për korrupsion në projektet shtetërore të infrastrukturës.
Protestuesit po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, një kërkesë që Vuçiç e ka refuzuar. Ndërsa Serbia aspiron zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, qeveria e Vuçiçit është kritikuar për shtypjen e lirive demokratike dhe për ruajtjen e lidhjeve të forta me Rusinë dhe Kinën. Grupet studentore, që po drejtojnë protestat, akuzojnë autoritetet se po përpiqen të “provokojnë një luftë civile” për të shpërndarë demonstratat. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





