Protestat, ODIHR thirrje Serbisë: Mundëso tubimet paqësore pa dhunë, duke respektuar të drejtat e njeriut

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ODIHR ka reaguar sërish ndaj protestave të dhunshme në Serbi, duke i dhënë kësaj të fundit mesazhin e qartë mbi përgjegjësitë për lehtësimin e tubimeve paqësore dhe parandalimit të dhunës së pajustifikuar nga forcat e rendit.
Në këtë kuadër, OSBE/ODIHR i rikujton Serbisë detyrimin për angazhimin e saj mbi të drejtat e njeriut.
“Serbia ka detyrimin të mundësojë tubimet paqësore pa përdorim të pajustifikuar ose të tepruar të forcës nga ana e Policisë dhe të parandalojë dhunën, në përputhje me angazhimet e saj për të drejtat e njeriut. Promovimi i dialogut dhe llogaridhënies janë mënyra më e mirë për të ulur tensionet aktuale”, thuhet në mesazhin e publikuar në rrjetin social X.
Pak ditë pas nisjes së protestave në Serbi, të përshkallëzuara më pas në përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, ODIHR shprehu shqetësimin për dhunën dhe arrestimet, duke i bërë thirrje autoriteteve të respektonin të drejtën për tubim paqësor.
Kujtojmë se një valë protestash nisi në Serbi në 1 nëntor të vitit 2024, pas vdekjes së 16 personave si pasojë e shembjes së një tende betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Vala e protestave është përshkallëzuar deri në përplasje mes protestuesve e forcave të rendit, si dhe në përdorimin e mjeteve të forta kundrejt zyrave të partisë së Aleksandër Vuçiq.
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë nga autoritetet për menaxhimin e ngjarjes dhe pasojave të saj. Ata fajësojnë qeverinë për korrupsionin dhe shkurtimet e buxhetit, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të keqqeverisjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





