Serbia dënon moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale: Inxhinieri e Kurtit për të heshtur zërin tonë

Serbia ka kundërshtuar dhe dënuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës për të mos certifikuar Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, tha se me këtë vendim shkelet ligji “për të heshtur zërin legjitim të serbëve në Kosovë”.
Gjuriç theksoi se ky është “një shembull i dukshëm i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.
Ai shtoi se këto janë masa diskriminuese që shkelin parimet themelore demokratike dhe dëmtojnë drejtpërdrejt detyrimet e marra përsipër në dialog.
“Autoritetet në Prishtinë po i thellojnë sistematikisht përçarjet dhe po minojnë stabilitetin. Serbia dënon fuqimisht këtë abuzim të institucioneve dhe i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të gjithë atyre që mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të reagojnë me vendosmëri. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë, me të gjitha mjetet diplomatike dhe ligjore, të drejtat dhe dinjitetin e popullit tonë në Kosovë”, shkroi Gjuriç.
Edhe Lista Serbe e cilësoi të padrejtë vendimin e KQZ në Kosovë, ku thotë se zyra kompetente e certifikimit konfirmoi se të gjithë kandidatët e Listës Serbe i plotësojnë plotësisht kriteret ligjore.
“Ne besojmë se ky është një tjetër shembull i diskriminimit dhe intrigës politike me të cilin Albin Kurti po përpiqet të parandalojë pjesëmarrjen e Listës Serbe, ndërsa në të njëjtën kohë favorizon partitë kuazi-serbe të afërta me të. I vetëdijshëm se ai dhe ndihmësit e tij nga radhët serbe nuk e kanë mbështetjen e popullit serb, Kurti shkel hapur ligjet dhe rregullat e veta me qëllim dobësimin e Listës Serbe, pra thyerjen e unitetit të popullit serb, falë të cilit serbët përfaqësojnë një faktor politik në këto zona”, tha Lista Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ku kundërshtimi kryesor erdhi nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët deklaruan se disa kandidatë të Listës Serbe janë nën hetime për sulme në Kosovë dhe se kjo parti ka “trashëgimi terroriste”.
Gjithashtu përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan duke thënë se certifikimi duhet të mbështetet në informacione zyrtare nga institucionet e sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





