Nga 8 në 11 Komisione, Parlamenti miraton ndryshimet mes debatesh, opozita: Të njëanshme. Mazhoranca: Ju besuam komisione jetike

Parlamenti ka miratuar sot (16 shtator) ndryshimet në strukturën e komisioneve parlamentare, duke e rritur numrin e tyre nga 8 në 11. Vendimi erdhi pas një seance të tensionuar, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës dominuan diskutimet. Në fund, opozita u lragua nga salla, ndërsa mazhoranca miratoi ndryshimet vetëm me votat e saj.
Opozita e kundërshtoi fort këtë riformatim, duke e cilësuar një veprim të njëanshëm.
“Ndodh për herë të parë që ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, aq më tepër për strukturën, ndikohen nga kreu i ekzekutivit. Pasi gjithë verën i drejtoi strukturat pushtetit lokal, pasi i dikton vendimmarrjet gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nëse nuk i pëlqen i sulmon në Facebook, gjeni një vend tjetër ku kryeministri sulmon gjyqtarët për çështjet që humb si palë në procese, dhe kishte ngel Kuvendi. Si rregull Kuvendi i diktohet ekzekutivit. Ne po na diktohet ekzekutivi dhe po thotë që strukturën e Kuvendit do ta përshtasim me Këshillin e Ministrave. Kryeministri thotë që Kuvendi do të strukturohet sipas organizimit të Këshillit të Ministrave. Si mundet që rregullat e një parlamenti të diktohen vetëm nga një parti? Doli dhe tha ju kemi lënë për të drejtuar më shumë fusha përgjegjësie, në fakt keni bërë një komision që e drejtonte opozita, e keni ndarë në tre pjesë dhe ja keni lënë opozitës. Nuk e kemi shkrirë thotë, por e kemi bashkuar me komisionin e jashtëm. Ku e keni marrë këtë model?”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu është shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca socialiste, duke i konsideruar ato të njëanshme. Ai kërkoi që socialistët të tërhiqen nga ky vendin dhe që rregullorja e Kuvendit të bëhet pjesë e një konsultimi dhe diskutimi politik para se të kalojë për miratim.
“Jemi kthyer në një republikë kryeministrore dhe pushteti absolut sjellë korrupsion absolut. Historia e rregullores së Kuvendit ka qenë histori mirëkuptimi politik edhe për faktin se rregullorja e Kuvendit ka të bëjë me marrëdhëniet që ne krijojmë këtu në këtë sallë me njëri-tjetrin, pavarësisht nga diferencat dhe debatet që kemi. Ka një histori 30-vjeccare dhe kur është bërë rregullorja e Kuvendit kanë qenë 2 bashkëkryetarët që janë ulur me njëri-tjetrin, me përfshirjen e partnerëve dhe të të gjithë deputetëve. Ndryshimi i njëanshëm i rregullores krijon një precedent jashtëzakonisht negativ për të krijuar edhe precedentin e ndryshimit të sjelljes në Kuvend në mënyrë të njëanshme. Fakti që kërkohet të ndryshohet rregullorja në mënyrë të njëanshme është një hap shumë i gabuar dhe duhet të rikthehet në diskutim të përbashkët të të gjithë aktorëve politikë të Kuvendit. Mendoj se është e domosdoshme të tërhiqet sot ky vendim i juaj dhe të kthehemi në funksionin normal”, tha Mediu.
Por kreu i grupit socialist, Taulant Balla, u shpreh se opozitës i janë lënë komisione me peshë dhe se ndryshimet synojnë rritjen e efikasitetit në punën parlamentare.
“Ky nuk është një propozim i ri, por për herë të parë është depozituar i plotë dhe ka të bëjë me një transformim të domosdoshëm të organizimit të Kuvendit të Shqipërisë sipas nevojës që ka sot Kuvendi dhe Shqipëria. Ndaj kemi ardhur me një propozim ku puna në komisionet e parlamentit të reflektojë kapitujt dhe grupkapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE, me një fokus të veçantë në disa fusha ku opozita ka rolin e vet të pazëvendësueshëm.
Nuk i kemi marrë asnjë komision opozitës, i kemi shtuar më shumë fusha përgjegjësie dhe i kemi shtuar fusha jetike. Është jetike për opozitën që të vijë të drejtojë komisionin për arsimin, për shëndetësinë, të të drejtave të njeriut. Është jetike për opozitën të vijë në Kuvend që t’i besohet drejtimi i komisionit të diasporës. Nuk kemi shkrirë komisionin e integrimit, përkundrazi kemi çuar komisionin e Politikës së jashtme, punët e jashtme i kemi bërë bashkë te komisioni për Europën”, tha Balla.
Në pjesën e parë të seancës u votuan zëvendëskryetarët e Kuvendit, Byroja, sekretariati teknik dhe këshillat kryesorë. Në Këshillin për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin, anëtarë të përhershëm nga PS do të jenë Taulant Balla, Niko Peleshi, Ulsi Manja, Bledar Cuçi dhe Bledi Çomo. Nga PD do të jenë Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Sajmir Korreshi dhe Gent Strazimiri.
Në Këshillin për Legjislacionin nga PS, anëtarë të përhershëm do të jenë Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Olsi Komici, Erion Malaj, Aulona Byklybashi. Nga PD do të jenë Ivi Kaso, Arjan Ndoj, Gjin Gjoni, Greta Bardeli dhe Blendi Himçi.
Mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet, duke i hapur rrugë funksionimit të 11 komisioneve të reja parlamentare. Ky proces pason takimin konsultues të një dite më parë që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi me krerët e grupeve parlamentare, mbi propozimet e kryeministrit Edi Rama.
11 Komisionet Parlamentare
Nën drejtimin e PS
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale
Komisionet nën drejtimin e PD
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




