India thirrje për ndaljen e konflikteve në Ukrainë dhe Gazë: Të ndërmerren hapa për zgjidhjen e tyre

Amerikë | 1 vit më parë

Ministri i Jashtëm i Indisë, S. Jaishankar bëri thirrje për ndaljen e konflikteve në Ukrainë dhe Gazë, duke u zotuar të mbështesë përpjekjet për paqe dhe duke paralajmëruar se Kombet e Bashkuara ndodhen në një “gjendje krize”, duke kërkuar reforma në këtë organizatë.

“Gjatë konflikteve, veçanërisht në Ukrainë dhe Gaza, edhe ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt kanë ndjerë ndikimin e tyre”, tha Jaishankar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

“Vendet që mund të angazhohen me të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për zgjidhje. India bën thirrje për ndaljen e armiqësive dhe do të mbështesë çdo iniciativë që ndihmon në rikthimin e paqes”, shtoi ai.

Duke iu referuar tarifave shtesë të vendosura nga SHBA, Jaishankar tha se bota tani përballet me “paqëndrueshmëri tarifore dhe qasje të pasigurt në treg”.

Ai shtoi se shqetësimet ekonomike përfshijnë kontrollin e shtuar të teknologjisë, zinxhirët e furnizimit dhe mineralet kritike.

India përballet me tarifa 50% për eksportet në SHBA, pjesërisht për shkak të blerjes së naftës ruse gjatë luftës në Ukrainë. “

Duke theksuar nevojën për reforma në OKB, Jaishankar tha se rezistenca ndaj reformave është “qendrore në erozionin” e kredibilitetit të organizatës.

Ai iu referua gjithashtu sulmit të 22 prillit në resortin turistik Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India, ku 26 persona humbën jetën. India fajësoi Pakistanin për incidentin, ndërsa Islamabadi mohoi përfshirjen dhe kërkoi një hetim ndërkombëtar, çka çoi në përleshje katërditore mes dy vendeve në maj, të cilat përfunduan me një armëpushim të shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“India është përballur me terrorizmin që nga pavarësia e saj në 1947. India ushtroi të drejtën e saj për të mbrojtur popullin e saj kundër terrorizmit dhe solli organizatorët dhe kryerësit e tij para drejtësisë, sepse terrorizmi është një kërcënim i përbashkët”, tha ai duke iu referuar armiqësive të fundit ndërkufitare me Pakistanin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme