Jorida Tabaku: Ky buxhet është një nga më të rëndët për biznesin shqiptar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar nga Kuvendin projektbuxhetin dhe paketën e re fiskale si një nga goditjet më të rënda për biznesin, shtresën e mesme dhe familjet shqiptare.
Duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është hartuar ky dokument, Tabaku u shpreh se mungesa e transparencës dhe e konsultimit real me grupet e interesit dëshmon natyrën e mbyllur dhe të dëmshme të tij.
“Tani me kë është konsultuar buxheti, me kë është konsultuar paketa fiskale nga zyrat e të cilit ka dalë ky buxhet, i cili për nga diabolika, por edhe për nga mënyra se si është hartuar, është një nga buxhetet më të rënda për biznesin shqiptar, që do të sjellë dhe do të rezultojë jo vetëm në më pak para në xhepat e familjeve, por kësaj radhe është një presë e madhe dhe një barrë e madhe edhe për biznesin,” theksoi Tabaku.
Gjatë fjalës së saj, ajo solli në vëmendje gjendjen e rënduar sociale duke theksuar se Shqipëria ka miratuar ndër buxhetet më të ulëta për mbështetjen sociale në rajon.
“I dëgjova sot të shqetësuar, të alarmuar për familjet shqiptare, familjet shqiptare, shtresa e mesme. Po sa vite kemi ne që flasim për familjet shqiptare, për shtresën e mesme? Kush ka menduar ndonjëherë në fund të ditës për një buxhet social, ndërkohë që në këtë Parlament Shqipëria ka miratuar buxhetet më të ulëta për mbështetje sociale. 20% e popullsisë merr 3.6% mbështetje sociale. Ajo shtresa e varfër, më e ulëta në të gjithë rajonin. Po ku ishin këto 14 vite që nuk menduan njëherë për familjen, nuk menduan njëherë për pensionistin, nuk menduan njëherë për qytetarin, nuk menduan njëherë për rritjen e çmimeve? Që kemi vite që flasim, që kemi vite të cilat vetëm jemi sulmuar sa herë kemi thënë që sot familjet shqiptare janë më të varfra,” u shpreh ajo.
Duke u ndalur te kriza e strehimit dhe kostot e larta të jetesës në kryeqytet, deputetja e konsideroi të pamundur për një familje të re që të sigurojë një banesë pa u zhytur në sakrifica shumëvjeçare.
Sipas saj, përgjigjja e qeverisë ndaj kësaj situate përmes ndryshimeve në taksa dhe TVSH vetëm sa e përkeqëson situatën e çmimeve.
“Së pari i dëgjoj që thonë do të vendosim 12 milionë euro në dispozicion të strehimit, se janë shumë të shqetësuar që një familje shqiptare sot nuk përballon dot një apartament. Po çfarë ka ndodhur me ndërtimin në Tiranë është kriminale, se këto e kanë sjellë sot në situatën që një familje shqiptare i duhet 29 vite të mos bëjë asgjë tjetër, vetëm të kursejë për të blerë një apartament. Dhe cila është përgjigjja e qeverisë? Përgjigjja e qeverisë është që, së pari, do të rrisim TVSH-në në 21%. Do të rritet energjia, do të rritet karburanti, do të rritet transporti, do të rriten edhe të gjitha produktet, do të rriten njëkohësisht edhe çmimet, se po u rrit TVSH-ja sigurisht që do të shkojë zinxhir në ekonomi,” u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se masat e propozuara për uljen e TVSH-së në 6% për një listë të caktuar produktesh nuk do të kenë asnjë efekt real.
“Masa e tretë në këtë paketë është ulet pragu i biznesit të vogël nga 10 milionë në 5 milionë. Këtu sigurisht që përfshihen profesionistët e lirë, shtresa e mesme. Ajo shtresa e mesme që po qajnë sot me lot krokodili.
Ajo shtresa e mesme që ka vuajtur rritjen e çmimeve, rritjen e taksave. Ajo shtresa e mesme që sot paguan taksa në gjashtë nivele të ndryshme, që ka nxitur jo vetëm informalitetin, por ka nxitur masivisht dhe largimin e tyre. Dhe çfarë ndodh këtu? Përfshihen edhe fermerët.
Do të bëjmë një VKM, tha ministri, se përjashtohen me VKM. Po mirë, kur ndërroi me VKM pragun e biznesit, pse nuk e ndërroi dhe për fermerët? Po do bëka një VKM tjetër tani… Ky është jo vetëm tallje, por është një nivel qesharak i të bërjes së politikave dhe bërjes së buxhetit. Këtu pastaj do të penalizohen mbi 17.500 biznese. Këtu është dora më e rëndë e ekonomisë. Këtu është pasoja më e madhe,” përfundoi Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




