Mbledhja për sigurinë në Kopenhagë, Osmani: Ballkani Perëndimor nën ndikimin e “trekëndëshit të lig”. Serbia, si Rusia
Teksa Bashkimi Europian po diskuton për të adresuar kërcënimet që vijnë nga Rusia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkon që edhe Serbia të konsiderohet një shtet agresor për vendet e rajonit.
Përpara mbledhjes së Komunitetit Politik Europian, Osmani u shpreh për gazetarët në Kopenhagë, Danimarkë, se kontinenti po përballet me dy rreziqe të mëdha, prandaj nevojitet unitet nga gjithë aleatët e BE-së.
“Megjithatë më duhet të shtoj se nuk mjafton veç uniteti. Ka nevojë të vazhdueshme edhe për konsistencë në lidhje me adresimin e agresorëve dhe diktatorëve. Aktualisht ka dy kërcënime kryesore për sigurinë që vijnë ndaj vendeve të kontinentit tonë. Njëri vjen nga Rusia, siç dihet. Tjetri, sidomos në rajonin tonë, vjen nga satelitët e Rusisë, shtojcat e Rusisë në rajonin tonë, që është Serbia. Mendoj se Bashkimi Europian duhet të jetë konsistent përballë këtyre dy agresorëve, sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe diktator, ndërsa tjetrin si partner për paqe,” deklaroi presidentja e Kosovës.
Osmani tha se Serbia dhe Rusia ndjekin të njëjtën strategji të trashëguar ndër shekuj sa herë gjejnë boshllëqe influencash në rajonin e Ballkanit.
“Serbia i ka trajtuar shtetet e veta fqinje si shtete joekzistuese, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave sillet me agresion. Sigurisht, është e njëjta strategji si e Rusisë. Për fat të keq Rusia e mbështet Serbinë në këtë përpjekje. Tradicionalisht dhe për shekuj me radhë ata kanë përdorur të njëjtat koncepte. Rusia flet për Rusinë e Madhe në botën ruse. Serbia flet për Serbinë e Madhe në botën serbe. Përdorin të njëjtat metoda, prandaj për ne janë të dyja një kërcënim.
Duhet të kemi parasysh që në rajonin tonë nuk ka asnjëherë një vakuum influencash. Nëse mungon një influencë pozitive perëndimore, forcat dashakeqe të ‘trekëndëshit të lig’, që është Rusia–Kina–Irani, gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por sepse kanë interesa të këqija strategjike. Prandaj është shumë e rëndësishme që zgjerimi të vazhdojë me Ballkanin Perëndimor, për ato vende të Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë kriteret dhe punojnë për vlerat mbi të cilat bazohet BE-ja,” u shpreh presidentja Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





