Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Trump: Plani im është i duhuri, s’ka nevojë për ndryshime

Amerikë | 12 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha në planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gazë, pasi sipas tij, të dyja palët – Izraeli dhe Hamasi – kanë rënë pothuajse dakord me propozimin.

Në një prononcim për mediat pak minuta më parë  Trump theksoi se lirimi i pengjeve izraelitë do të ndodhë “shumë shpejt”, ndërkohë që negociatat për detajet po zhvillohen me shpejtësi.

Kjo vjen në vazhdim të zhvillimeve të fundit, ku Hamasi ka pranuar pjesërisht planin e Trump-it, duke hapur rrugën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një shkëmbim pengjesh.

Kur u pyet nëse është “i hapur për fleksibilitet” në kushtet e planit të tij për të përfunduar luftën e zgjatur pothuajse dy vjeçare në Gazë, Trump u përgjigj me bindje: “Ne nuk kemi nevojë për fleksibilitet, sepse të gjithë kanë rënë pothuajse dakord me të.”

“Të lirohen pengjet, menjëherë. Negociatat po zhvillohen dhe ndoshta do të zgjasin vetëm disa ditë”, shtoi ai, duke theksuar urgjencën e situatës.

Plani i Trump-it, i prezantuar javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, përfshin një seri masash të menjëhershme për të ndalur dhunën dhe për të rikthyer paqen në rajon.

Sipas tij, lirimi i të gjithë pengjeve izraelitë – rreth 48 persona, prej të cilëve 20 mendohet se janë ende të gjallë – do të ndodhë brenda 72 orëve pas nënshkrimit të marrëveshjes, në këmbim të lirimit të mijëra të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Kjo do të shoqërohet me një ndalim të menjëhershëm të bombardimeve izraelite në Gaza, tërheqjen graduale të forcave izraelite në pozicione më të sigurta (duke u referuar në “vijën e verdhë” të gushtit), dhe një fazë të dytë ku Hamas do të çarmatoset plotësisht, ndërsa Gaza do të kalojë nën administrimin e një grupi teknokratësh palestinezë, të mbështetur nga një forcë ndërkombëtare stabilizuese e udhëhequr nga partnerë arabë.

Mbrëmjen e së enjtes, Hamasi deklaroi se ka pranuar “pjesën e parë” të planit, duke rënë dakord për lirimin e menjëhershëm të pengjeve nëse arrihet ndalimi i bombardimeve dhe lehtësimi i ndihmës humanitare.

Megjithatë, grupi palestinez kërkoi negociata të mëtejshme për çështjet e qeverisjes së ardhshme të Gazës dhe të drejtave palestineze, duke theksuar se do të marrë pjesë në një “kornizë kombëtare” për të ardhmen.

Ky pranim i pjesshëm u mirëprit menjëherë nga Trump, i cili shkroi në platformën e tij “Truth Social” se beson se Hamasi është “i gatshëm për “Paqe” të qëndrueshme dhe urdhëroi Izraelin të “ndalojë menjëherë bombardimet në Gazë” për të lejuar lirimin e sigurt të pengjeve.

Nga ana e tij, zyra e Netanyahu konfirmoi se Izraeli po përgatitet për “zbatimin e menjëhershëm të fazës së parë” të planit, duke shprehur shpresën se të gjithë pengjet do të kthehen brenda festës hebraike të Sukkot-it, që fillon më 6 tetor dhe zgjat deri më 13 tetor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme