Mbi 200 alpinistë bllokohen nga stuhia e dëborës në malin Everest

Më shumë se 200 alpinistë janë bllokuar nga një stuhi dëbore në shpatet tibetiane të malit Everest, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të mbërritur sa më shpejtë.
Rreth 350 persona të tjerë janë evakuuar dhe dërguar në vende të sigurta nga ekipet e shpëtimit, pasi bora dhe shirat e rrëmbyeshëm në Himalaje bllokuan qindra njerëz në kampe në shpatet lindore të Everestit.
Stuhia e fuqishme goditi zonën gjatë fundjavës, duke kapur në befasi alpinistët, të cilët po ecnin në luginën tibetiane që të çon drejt faqes lindore të malit më të lartë në botë.
Stuhi të tilla dëbore janë të pazakonta për këtë periudhë të vitit, ndërsa qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi po punojnë për të pastruar rrugët dhe për të hapur hyrjet në zonë, e cila ndodhet në një lartësi mbi 4,900 metra.
Ndërkohë, moti ekstrem ka goditur edhe Nepalin fqinj, ku të paktën 47 persona kanë humbur jetën që nga e premtja, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Mali Everest, me një lartësi prej 8,849 metrash, mbetet maja më e lartë në botë dhe një prej ngjitjeve më të rrezikshme, megjithëse çdo vit qindra alpinistë përpiqen të arrijnë majën e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





