Von der Leyen takon Vuçiçin: BE kërkon hapa konkretë nga Serbia drejt anëtarësimit

Rajon | 12 muaj më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi sot një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku diskutuan mbi dialogun Kosovë–Serbi dhe procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Vuçiç tha se dialogu me Kosovën duhet të vazhdojë “në një ton konstruktiv”. Ai e cilësoi anëtarësimin në BE si një “angazhim strategjik dhe prioritet të politikës së jashtme” të Serbisë.

“Besoj se mund të vazhdohet në një ton konstruktiv. Nuk dua ta shfrytëzoj këtë rast për të kritikuar askënd, vetëm dua të them se për tango duhen dy”, ka deklaruar Vuçiç.

Nga ana tjetër, Von der Leyen theksoi se është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit, duke vënë theksin tek reformat në sundimin e ligjit, median dhe demokracinë.

Ajo u shpreh se BE është gati të mbështesë Serbinë në këtë proces dhe e ftoi vendin të përfshijë të gjithë shoqërinë në zbatimin e reformave.

“Tani është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit” në Bashkimin Evropian. Ne presim që Serbia të ecë drejt BE-së. I gjithë procesi i pranimit ka të bëjë me këtë. Ka të bëjë me zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian (BE) dhe sigurisht që këto reforma duhet të kryhen duke tërhequr të gjithë shoqërinë pas tyre. Të gjithë duhet të përfshihen në atë proces reformash sepse ai e ndryshon vendin për mirë dhe ndërton një demokraci të fortë. Ai duhet të përfshijë të gjithë spektrin politik dhe gjithashtu pjesë të rëndësishme të shoqërisë civile”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për investimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e planit të rritjes që hap derën drejt tregut të vetëm evropian dhe zhvillimit të sektorëve si inteligjenca artificiale.

“Ky është parimi i planit tonë të rritjes, sepse plani i rritjes hap derën drejt sektorëve të tregut të vetëm. Është sikur vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Ne e bëjmë këtë duke investuar në ato vende dhe në këmbim, zbatohen reforma në mënyrë që të kemi një treg të vetëm dhe të drejtë. Në BE, kemi fabrika të inteligjencës artificiale, domethënë qendra kompjuterike të nivelit të lartë që i hapëm për kompanitë tona startup, dhe ato marrin përsipër modele të caktuara, i zhvillojnë ato, përdorin të dhëna dhe shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga fabrikat e inteligjencës artificiale”, tha ajo.

Vuçiç, nga ana e tij, shtoi se Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin me BE-në për zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme