Ndihma për Ukrainën-SHBA apel aleatëve të NATO-s: Rrisni shpenzimet për armët amerikane

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s të shtojnë shpenzimet për blerjen e armëve amerikane për të mbështetur Ukrainën, pas një raporti që nxori në pah një rënie të ndjeshme të ndihmës ushtarake për Kievin gjatë korrikut dhe gushtit.
“Paqja arrihet kur je i fortë. Jo me fjalë të forta apo me tundje gishtash, por kur ke aftësi të forta dhe reale që respektohen nga kundërshtarët,” u shpreh Hegseth për gazetarët para një takimi me homologët e NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.
Hegseth nxiti aleatët të rrisin investimet në programin e Listës së Kërkesave të Prioritetit të Ukrainës (PURL), i cili ka zëvendësuar dhurimet e drejtpërdrejta të armëve amerikane për Ukrainën dhe tani u kërkon aleatëve të paguajnë për dërgesat e këtyre armëve.
“Pritshmëria jonë është që më shumë vende të dhurojnë më shumë dhe të blejnë më shumë për të mbështetur Ukrainën, duke e çuar atë konflikt drejt një përfundimi paqësor,” tha ai.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se 2 miliardë dollarë amerikanë janë alokuar tashmë përmes mekanizmit PURL.
Megjithatë, kjo shumë është nën 3.5 miliardë dollarët që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte shpresuar të siguroheshin deri në tetor.
Suedia, Estonia dhe Finlanda konfirmuan kontributet e tyre më 15 tetor, por vende si Spanja, Italia, Franca dhe Britania e Madhe janë kritikuar për hezitimin në dhënien e mbështetjes së nevojshme.
Sipas një raporti të Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, të publikuar më 14 tetor, ndihma ushtarake për Ukrainën ra me 43 për qind në korrik dhe gusht krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025. Raporti thekson se Ukraina mbetet shumë e varur nga armët e SHBA-së, veçanërisht ndërsa përgatitet për një dimër tjetër të konfliktit me Rusinë.
Shumica e mbështetjes ushtarake tani kanalizohet përmes nismës PURL, në të cilën janë përfshirë Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Letonia, Holanda, Norvegjia dhe Suedia deri në gusht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





