Sulmi para Kuvendit të Serbisë, Vuçiç: Akt terrorist me motiv politik

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi si “akt terrorist” sulmin e ndodhur mesditën e kësaj të mërkure para godinës së parlamentit serb. Vuçiç theksoi se sulmi kishte motiv politik dhe se ishte “vetëm çështje kohe” që të ndodhte, pasi ishte paralajmëruar më herët.
Vuçiç deklaroi se ambientet e Partisë Progresive Serbe dhe të Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin janë sulmuar 812 herë gjatë muajve të fundit, ndërsa 29 prej tyre janë shkatërruar plotësisht, ndërsa shtoi se “asnjë ambient i ndonjë partie opozitare nuk është prekur nga sulme të tilla”.
“Kjo mund të kishte ndodhur në Uzhicë, në Valjevo, në Novi Sad dhe mbi të gjitha, mjaft e pritshme, në Çaciland, kundër të cilit u thanë kaq shumë fjalë”, tha Vuçiç.
Në një deklaratë të jashtëzakonshme nga Pallati i Serbisë, Vuçiç e cilësoi ngjarjen si një sulm të tmerrshëm terrorist ndaj njerëzve dhe pronës, duke identifikuar autorin si Vladan Angjelkoviq, 69 vjeç, nga Beogradi.
“Sot para Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, Vladan Angjelkoviq, i lindur në vitin 1955 në Beograd, me vendbanim të regjistruar në komunën Stari Grad, kreu një sulm të tmerrshëm terrorist ndaj njerëzve të tjerë dhe pronës së të tjerëve dhe shkaktoi një rrezik të përgjithshëm”, tha Vuçiç.
Presidenti serb akuzoi kundërshtarët politikë për nxitje të klimës së dhunës dhe intolerancës në vend.
“Një urrejtje e tillë u nxit kundër studentëve që duan të studiojnë dhe kundër qytetarëve që mbronin një pikë të vetme në të gjithë Serbinë, ndryshe nga ata që bllokuan mijëra pika, fakultete e shkolla, ku ende mbretëron terrori,” deklaroi Vuçiç.
Pranë ndërtesës së parlamentit serb në Beograd pati të shtëna armësh, ndërsa edhe një zjarr shpërtheu në një kamp tendash të ngritur aty pranë. Nga të shtënat një person mbeti plagosur, ndërsa u arrestua një tjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





