Tajfuni “Kalmaegi” drejtohet drejt Kamboxhias, pasi vrau të paktën 193 persona në Filipine dhe Vietnam

Tajfuni “Kalmaegi” po zhvendoset drejt Kamboxhias dhe Laosit, pasi ka shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe ka marrë të paktën 193 jetë në Filipine dhe Vietnam.
Sipas autoriteteve lokale, 188 persona humbën jetën në Filipine dhe 5 të tjerë në Vietnam, ndërsa stuhia goditi me erëra deri në 149 kilometra në orë, duke rrëzuar pemë, shkatërruar çati dhe shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike.
Kryeministri vietnamez Pham Minh Chinh zhvilloi një takim urgjent online për të koordinuar reagimin ndaj emergjencës, duke theksuar se përparësi mbetet sigurimi i ushqimit, ujit të pijshëm dhe strehimit për komunitetet e izoluara.
“Ne duhet të arrijmë në zonat e prekura dhe të sigurohemi që askush të mos mbetet pa ushqim apo strehë,” deklaroi ai.
Në bregdetin qendror të Vietnamit, mijëra banorë u detyruan të kërkojnë strehim në shkolla dhe ndërtesa publike, ndërsa ushtria është angazhuar për pastrimin e rrënojave dhe ndihmën humanitare. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik përmbytjesh në zonat e ulëta, pasi rajoni ka përjetuar reshje rekord që kanë shkaktuar 50 viktima gjatë javës së fundit.
Në Filipine, tajfuni “Kalmaegi” shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje dheu që shkatërruan lagje të tëra. Qeveria ka shpallur gjendje katastrofe kombëtare dhe ka urdhëruar evakuimin e qindra mijëra personave, ndërsa një tjetër stuhi tropikale po afrohet nga Oqeani Paqësor. Aeroportet dhe rrugët kryesore në disa rajone mbeten të mbyllura.
Stuhia pritet të dobësohet ndërsa kalon mbi Kamboxhia, por autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga reshjet e dendura dhe përmbytjet mbetet i lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





