Princi i kurorës së Arabisë Saudite thotë se do të investojë 1 trilion dollarë në SHBA gjatë takimit në Zyrën Ovale me Trump

Amerikë | 11 muaj më parë

Presidenti Donald Trump priti të martën në Shtëpinë e Bardhë Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, duke shënuar vizitën e parë të udhëheqësit de facto të Arabisë Saudite në Uashington që nga vrasja e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Kjo vizitë sinjalizon një zhvillim të ri nga Shtëpia e Bardhë ndaj Princit Mohammed, të cilin Trump e sheh si një lojtar të domosdoshëm në formësimin e Lindjes së Mesme, pavarësisht konkluzioneve të agjencive amerikane të inteligjencës se MbS ka të ngjarë të ketë urdhëruar operacionin që çoi në vrasjen e kritikuesit të mbretërisë.

Marrëdhëniet SHBA-Saudite ishin përkeqësuar ndjeshëm pas vrasjes së Khashoggit, shtetas saudit dhe banor i Virxhinias. Megjithatë, Presidenti Trump hodhi poshtë kritikat ndaj Princit të Kurorës, duke deklaruar se “gjëra që ndodhin”.

Trump mbrojti Princin, duke thënë se ai “nuk dinte asgjë për këtë” dhe shtoi se “shumë njerëz nuk e pëlqenin atë zotëri” (duke iu referuar Khashoggit). Presidenti iu drejtua ashpër një gazetareje që bëri pyetjen, duke e quajtur atë “lajm të rremë” dhe duke e qortuar që po “turpëronte mysafirin tonë” me një pyetje të tillë.

Marrëveshje miliardëshe dhe angazhime financiare

Fokusi kryesor i takimit ishte bashkëpunimi strategjik dhe ekonomik. Dy udhëheqësit pritet të zbulojnë marrëveshje me vlerë miliarda dollarë, duke përfshirë shitjen e avionëve luftarakë F-35 për Arabinë Saudite.

Në aspektin financiar, Princi Mohammed bin Salman njoftoi rritjen e angazhimeve të planifikuara financiare të vendit të tij ndaj SHBA-së nga 600 miliardë dollarë në 1 trilion dollarë.

“Mirë, më pëlqen shumë kjo,” ishte reagimi i Presidentit Trump ndaj rritjes së angazhimit.

Ndërsa u pyet nëse Arabia Saudite mund t’i mbajë këto investime duke pasur parasysh çmimet aktuale të ulëta të naftës, Princi Mohammed theksoi se marrëveshjet, përfshirë ato për çipat e kompjuterëve, përputhen me zhvillimin strategjik të mbretërisë.

Takimi i dy delegacioneve u fokusua edhe në rrugën e vështirë që e pret Lindjen e Mesme të paqëndrueshme. Dita u mbyll me një mbrëmje solemne në Shtëpinë e Bardhë, organizuar nga Zonja e Parë, Melania Trump, në nderim të Princit të Kurorës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme