Kapja e Maduros nga SHBA-Rubio: S’është koha të flasim për zgjedhjet në Venezuelë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se diskutimet për mbajtjen e zgjedhjeve në Venezuelë pas rrëzimit dhe arrestimit të Nicolás Maduros nga forcat amerikane janë “të parakohshme”.
Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC-së, Rubio u pyet se kur do të mbahen zgjedhjet në Venezuelë pas kapjes së Maduros dje, ai u përgjigj se “të gjitha këto, mendoj se janë të parakohshme në këtë moment.”
“Ne jemi të fokusuar tani te të gjitha problemet që kishim kur Maduro ishte aty. Këto probleme ende ekzistojnë dhe duhen zgjidhur. Do t’u japim mundësi njerëzve atje që t’i adresojnë këto sfida dhe probleme,” shtoi ai.
Rubio theksoi se SHBA-ja nuk është në luftë me Venezuelën, por kundër organizatave të trafikimit të drogës, dhe se prioriteti kryesor është siguria dhe interesi i Shteteve të Bashkuara.
Dje, forcat speciale amerikane kryen një operacion surprizë në Caracas, duke kapur Nicolás Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Ata u transferuan në New York për t’u përballur me akuza për narko-terrorizëm dhe trafik droge.
Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të ndara në Kongresin amerikan dhe shqetësime ndërkombëtare për precedentët ligjorë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





