Seanca në Kushtetuese për zv.kryeministren, Presidenca: Nëse pezullimi ndikon në funksionimin e pushtetit ekzekutiv, kthehet në instrument kontrolli

Teksa në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si subjekt i interesuar në çështje është edhe Presidenca.
Gjatë seancës, përfaqësuesja e Presidencës deklaroi se ky institucion është përfshirë në çështje për shkak se ka kompetencën për të dekretuar emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse vendimi mbi pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave që zgjidhet nga populli, është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve apo e cenon atë.
“Presidenca është përfshirë në këtë çështje për shkak se ky institucion ka kompetencën për të deklaruar emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse kjo kompetencë është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve apo jo.
Ndjekja penale është e drejtë e plotë e organeve të drejtësisë, dhe ata mund të ndëshkojnë autorët pa dallim nga funksioni publik që mund të ushtrojnë. Ligji e njeh këtë kompetencë vetëm për personat që janë të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Pushteti ekzekutiv ushtrohet nga Këshilli i Ministrave, dhe Kushtetuta parashikon se KM përgjigjet para Kuvendit, ndërsa instrumentet e kontrollit dhe balancës janë të përcaktuara qartë”, tha përfaqësuesja e Presidencës.
Presidenca parashtroi se nëse pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, kjo nuk mund të konsiderohet kushtetuese.
“Nëse pezullimi nga ushtrimi i detyrës i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë merr përmbajtjen e një instrument kontrolli dhe balancave mes pushteteve. Në këtë rast, nuk mund të konsiderohet kushtetuese. Presidenca mbështet qartësimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese për këto çështje, pavarësisht vendimmarrjes së saj”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





