Tjetër vrasje nga agjentë federalë në SHBA-Guvernatori i Minnesotas kërkon ndalimin e operacioneve të ICE-së
Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Shtetet e Bashkuara, ku më 24 janar një person u qëllua për vdekje nga agjentë federalë në Minneapolis.
Sipas informacioneve paraprake, viktima dyshohet të jetë një burrë 51 vjeç.
Në incident janë përfshirë agjentë të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave, ICE. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje.
Guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, konfirmoi vrasjen dhe e cilësoi atë si një tjetër incident të rëndë në kuadër të operacioneve federale kundër emigracionit.
Ai reagoi ashpër, duke deklaruar se Minnesota ka duruar mjaft dhe i kërkoi Presidentit Trump të ndalojë menjëherë këtë operacion. Walz kërkoi gjithashtu tërheqjen e mijëra agjentëve federalë nga shteti.
Ngjarja vjen më pak se tre javë pas vrasjes së aktivistes Renee Nicole Good, po në Minneapolis. Ajo u qëllua nga një agjent i ICE-së, duke shkaktuar protesta të forta dhe përplasje politike. Autoritetet federale kishin deklaruar atëherë se agjenti kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Pas incidentit të fundit, në rrjetet sociale u publikua një video që dyshohet se tregon momentin e të shtënave. FBI ka nisur hetimet, ndërsa operacionet e ICE-së në Minneapolis pritet të vijojnë.
Gazetar: Artur Mata
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




