Protesta e opozitës, hidhet molotov drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit, 16 efektivë të plagosur. Policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës  

Aktualitet | 8 muaj më parë

Opozita zhvilloi këtë të martë, 10 shkurt, protestën e radhës kombëtare në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe hedhje molotovësh drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Për rreth 4 orë, protestuesit u mblodhën fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ishte ngritur edhe podiumi ku mbajtën fjalë përfaqësues të PD-së, përfshirë kryedemokratin Sali Berisha. Më pas, ata iu drejtuan godinës së Parlamentit.

Pas përfundimit të fjalës së Berishës, skenari i protestës duket se pasqyroi ngjarjet e protestës së kaluar, ku u hodhën molotovë drejt Kryeministrisë. Për të shuar flakët dhe larguar protestuesit, ndërhynë autobotët me ujë. Nga hedhja e molotovëve raportohet se u lënduan 16 punonjës policie.

Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për revolta popullore për të rrëzuar qeverinë Rama, ndërsa akuzoi kryeministrin se po rrezikon integrimin dhe të ardhmen e vendit. Pas fjalës, ai iu drejtua selisë blu, ndërsa protestuesit iu drejtuan Parlamentit.

Edhe aty, tensionet vazhduan. Protestuesit hodhën molotovë drejt efektivëve, ku flakët përhapeshin jo vetëm tek policët, por edhe te një makinë. Ndërhyrja e autobotëve me ujë ishte e nevojshme për të shuar flakët dhe për të larguar protestuesit.

  • Protesta nisi pak pas orës 17:00 dhe përfundoi rreth orës 21:00. Pas tensioneve, protestuesit u shpërndanë nga efektivët me gaz lotsjellës, ndërsa disa prej tyre u mblodhën para selisë blu.

    Për garantimin e rendit dhe sigurisë u angazhuan mbi 1,300 forca policie, autobote me ujë dhe mjete me gaz lotsjellës. Si pasojë e protestës, disa akse rrugore u bllokuan dhe qarkullimi i mjeteve u ndalua. Aktualisht, qarkullimi është i bllokuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në rrugët lidhëse “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

    Zhvillimet Minutë pas Minute 

    Protestuesit hedhin molotov para Kryeministrisë dhe Parlamentit, 16 policë të dëmtuar

    16 punonjës të Policisë mbetën të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës së mbajtur këtë të martë nga opozita në Tiranë.

    Sakaq efektivët janë paraqitur në Spitalin e Traumës dhe pranë Shërbimit të Djegieve – Plastikës në QSUT. Ata po ekzaminohen nga mjekët, ndërsa gjendja e tyre raportohet si stabile.

    Fillimisht, protestuesit hodhën mjete molotov para godinës së Kryeministrisë, ndërsa Policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre duke përdorur ujë nën presion.

    Më pas, turma u zhvendos drejt Parlamentit, ku disa protestues vazhduan të hedhin molotov drejt forcave të rendit.

    Gjatë fjalës së tij, në përmbyllje të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për revolta popullore për të rrëzuar qeverinë Rama, duke akuzuar kryeministrin se sipas tij rrezikon integrimin dhe të ardhmen e vendit.

    Hidhen bomba molotov drejt policisë te Parlamentit

    Pas godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit.

    Edhe para Parlamentit u hodhën molotov në drejtim të efektivëve pasi protestuesit tentuan të thyenin kordonin policor.

    Protestuesit kanë hedhur molotov drejt efektivëve ku nga pamjet drejtpërdrejta u panë që flakët u përhapën jo vetëm tek policët, por edhe te një makinë.

    U desh ndërhyrja e autobotit me ujë për të shkuar ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

    Protesta e opozitës, Noka: Protesta do të vijojë deri në zgjidhje politike

    Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi se protesta e opozitës vazhdon dhe qëllimi është zgjidhje politike për të parandaluar që Shqipëria të rrëshqasë në destabilitet.

    “Ne jemi në protestë dhe ajo vazhdon. Qëllimi është i ditur: duhet zgjidhje politike, që Shqipëria të mos rrëshqasë në destabilitet. Rama, me aktet e fundit, që ka ndërmarrë po rrezikon të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Protesta do të vijojë dhe do të jetë më e fortë se kurrë deri në gjetjen e zgjidhjes politike. Revolta do të vij duke u shtuar. Po protestojmë në dy godinat që janë shënuar në qendër: Kryeministria dhe Parlamenti, këtu buron e keqja për çdo shqiptar prej 13 vitesh. Parlamenti është i shqiptarëve dhe jo i kusarëve”, tha Noka.

    Protestuesit hedhin molotovë dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë

    Pas mbylljes së fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, militantët hodhën molotovë dhe fishekzjarrë para godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar tensione në zonë.

    Sakaq, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur ujë me presion.

    Berisha: Përgjigja jonë ndaj regjimit do jetë revoltë paqësore. Ashtu rrëzuam edhe diktaturën

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, tha se revolta qytetare ka dhënë një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se opozita nuk do të lejojë, sipas tij, një grusht shteti për të mbrojtur vjedhjet e qeverisë.

    “Shqipëria është një vend i bekuar, por ka përjetuar armiq të egër, të pamëshirë ndaj nesh, armiq që padyshim i kanë sjellë dëme shumë serioze kombit tonë. Nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën e Hoxhës, persekutimet, pushkatimet, izolimin më të thellë që përjetuam. Evropa e quajti Hoxhën Hitlerin shqiptar. Jemi treguar të butë, sepse Rama është armiku më i pamëshirshëm i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve. Ai është kërcënimi më i rrezikshëm, që kalon edhe kërcënimet e regjimit të Hoxhës. Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do të lejojmë kurrë grushtin e shtetit për të mbrojtur vjedhjet e Ramës”, tha Berisha.

    “Përgjigja jonë ndaj regjimit do të jetë vetëm revoltë paqësore, në atë mënyrën rrëzuam edhe diktaturën”, shtoi Berisha.

    Berisha theksoi se muaji shkurt ka një simbolikë të veçantë, duke e cilësuar si muajin kur u rrëzua diktatura dhe duke shtuar se do të jetë muaji i çlirimit të Shqipërisë. Sipas tij, rezistenca e qytetarëve ka qenë vendimtare për të penguar një grusht shteti dhe për të mbrojtur demokracinë.

    “Ja ku jemi këtu, edhe grushti i dytë që po përgatit do të dështojë dhe shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin dhe do të jetë muaji kur ne do të çlirojmë Shqipërinë. Po të mos ishit ju që rezistuat ndaj helmit të skaduar dhe u përballët dhëmb për dhëmb me regjimin, Rama do t’ia kishte dalë me grushtin e shtetit. Revolta juaj është opozita e vërtetë, zëri i dinjitetit të qytetarëve. Mund të na sulmojnë ditë e natë, por opozita e vërtetë me revoltën tonë parandaloi grushtin e shtetit më të rrezikshëm. Fituam një betejë, por ende nuk kemi fituar luftën. Rama i ka shpallur luftë drejtësisë dhe ka ardhur koha që Ramën ta shpallim armikun më të rrezikshëm për vendin” deklaroi Berisha.

    Alimehmeti: Shqipëria shkon drejt vlerave evropiane po të qëndrojmë sëbashku

    Anëtari  i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak Tiranë, Ilir Alimehmeti, foli në protestën kombëtare të opozitës, duke akuzuar qeverinë se politikat e saj kanë sjellë shpopullim dhe abuzim me pasuritë publike. Ai u shpreh se këto abuzime ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

    Ai shtoi se Shqipërisë duhet t’i kthehen vlerat evropiane dhe se duhet të punohet për të rikthyer shqiptarët që janë larguar nga vendi.

    “Politikat e qeverisë bazohen në shpopullim dhe abuzim të pasurive publike. Këto nuk janë abuzime vetëm në numra, por ato janë zbatuar në ekonomi pa të ardhura, në spitale pa mjekë dhe barna, në shkolla pa nxënës.

    Sot i themi Ramës, që kishte pushtet absolut për 13 vite, se është përgjegjës për këto dhe sot nuk ka më nevojë për justifikime. Ai ka përgjegjësinë pasi kishte të gjithë pushtetin. Shqipërisë duhet t’i rikthehen vlerat evropiane dhe të rikthejmë 100 mijë shqiptarët që janë larguar nga vendi. Kjo bëhet vetëm me largimin e kësaj qeverie. Shqipëria shkon përpara po të qëndrojmë sëbashku”, tha Alimehmeti.

    Gjerkmarkaj: Demokracia nuk është dhuratë, por betejë

    Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjerkmarkaj, hapi protestën kombëtare të opozitës, duke deklaruar se kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një reagim ndaj një sistemi që, sipas tij, ka humbur legjitimitetin dhe po shkon drejt fundit.

    Gjerkmarkaj theksoi se qeveria ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi, duke mbijetuar politikisht përmes shndërrimit të shtetit në instrument pushteti.

    “Kjo nuk është një protestë e zakonshme, por këtij sistemi pa legjitimitet po i vjen fundi. Ky sistem ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi. Ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në instrument pushteti. Pasojat janë të qarta: eksod biblik i shqiptarëve, ekonomi e deformuar, njëzimi i partisë me shtetin, korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisjeje. Jeta e shqiptarëve është në kthim pas si në vitin 1976, e maskuar me fjalë dhe shantazh publik”, tha Gjekmarkaj.

    Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se po mban peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën, duke nënvizuar se demokracia nuk është dhuratë, por një betejë.

    “Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane që ky komb e ka paguar shtrenjtë ndër shekuj. Qeveria po merr peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën. Demokracia nuk është dhuratë por betejë. Në jemi sot këtu të palëkundur”, tha Gjekmarkaj.

    Protesta kombëtare e opozitës, mbi 1300 efektivë policie në gatishmëri

    Për garantimin e rendit dhe sigurisë, mbi 1300 forca policie u angazhuan, ndërsa në dispozicion janë edhe autobote me ujë si dhe mjete me gaz lotsjellës, në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, siç ka ndodhur në protesta të mëparshme ku nuk kanë munguar tensionet.

    Forcat e sigurisë kanë rrethuar Kryeministrinë dhe kanë blinduar dyert, ndaj të cilës në protestën e fundit u hodhën fishekzjarrë dhe molotovë.

    Një ditë më parë, Berisha deklaroi se kjo protestë do të jetë një “kryengritje paqësore”, duke u bërë thirrje edhe forcave të policisë që t’u bashkohen protestuesve për të kërkuar, sipas tij, një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre.

    Si pasojë e protestës, disa akse rrugore janë bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve është ndaluar. Aktualisht, qarkullimi është i bllokuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në rrugët lidhëse “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme